Nga Gazeta Si- “Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe nënshtetësinë e propozuar nga skema e investimeve, që nuk janë në përputhje me normat e BE-së dhe të politikës së saj të vizave”.
Kjo është një nga kritikat e shprehura në projektrezolutën e hartuar nga europarlamentarja Isabele Santos, e cila është raporterja e PE-së për Shqipërinë. Santos ka hartuar këtë rezolutë pas një misioni inspektues që pati kohë më parë në Shqipëri. Çështja e amnistisë fiskale po vazhdon të përplasë institucionet ndërkombëtare me qeverinë Rama, të cilat kërkojnë edhe një herë që qeveria ta shohë edhe një herë draftin, pavarësisht se ekzekutivi shqiptar ka deklaruar se nisma e amnistisë ka pësuar ndryshime duke marrë në konsideratë kërkesat e Bashkimit Europian apo të Bankës Botërore.
Një tjetër çështje që përbën shqetësim është edhe ligji për invesitorët e huaj, i njohur ndryshe si pasaportat e arta dhe luftë ndaj evazionit fiskal.
“Thekson detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimet, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesioneve; nënvizon nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin sipas një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe ndjekjen penale të incidenteve të mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal dhe anashkalimin e sanksioneve”, thuhet në dokumentin e hartuar nga Santos.
Në dokumentin e PE-së bëhet thirrje për parandalimin e trafikut të klandestinëve dhe reduktimin e kërkesave për azil. “PE bën thirrje për veprime të vazhdueshme për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë, duke trajtuar rrjetet kriminale të trafikimit dhe duke rritur bashkëpunimin me agjencitë e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të BE-së; mirëpret hetimet e suksesshme ndërkombëtare dhe operacionet e policisë për të luftuar trafikimin e njerëzve, narkotikëve dhe armëve të zjarrit dhe mashtrimet në internet”, thuhet më tej në projektrezolutë.
Sa i përket situatës politike: “Dënon konfrontimin politik dhe veprimet përçarëse dhe nënvizon një politikë të përbashkët dhe përgjegjësinë sociale për reformat; fton aktorët politikë të rrisin angazhimin e tyre për të dialoguar dhe për të forcuar institucionet dhe procedurat demokratike nëpërmjet angazhimit konstruktiv, konsultimeve gjithëpërfshirëse dhe vendimmarrjeve transparente; rikujton nevojën për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare”.
Në pikën 14 të draftrezolutës ka kritika sa i përket çështjes së lirisë së medias. “Shpreh shqetësimin e tij për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe thekson rolin e liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për arritjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet të diskreditojë gazetarët dhe të fshehë në mënyrë arbitrare informacionin publik, si dhe të mos garantojë sigurinë e gazetarëve. U kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve”, thuhet më tej.
Ndërsa theksohet se mirëpret tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes dhe i kërkon qeverisë të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të medias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje