Gazeta Si – Një narko-nëndetëse është identifikuar në Spanjë, në brigjet e Vilagarcia, në Galicia. Ajo është pikasur nga një peshkatar i zonës, i cili më pas ka dhënë alarmin, duke shkaktuar reagimin e anijeve patrulluese të rojës bregdetare në ujëra mjaft të rrëmbyeshëm.
Mjeti detar u zbulua gjysmë i zhytur në ujë në një pozicion pingul dhe në fakt vetëm harku i kishte dalë jashtë. Nuk është e qartë, nëse ai ishte braktisur apo kishte probleme me lundrimin.
Deri tani ka pak të dhëna të marra pas një inspektimi të kryer me një dron nënujor: është rreth 15 metra i gjatë, duket të jetë një varkë me profil të ulët, i ngjashëm me atë të kapur në veri të vendit katër vjet më parë. Në një analizë të parë, eksperti HI Sutton gjeti pika kontakti.


Janë mjete që zakonisht ecin në sipërfaqen e ujit, duke lënë të zbuluar pjesën e sipërme të bykut dhe një frëngji të vogël.
Lëvizja sigurohet nga motorë të brendshëm ose të jashtëm. Tashmë hetuesit po punojnë për të kuptuar origjinën dhe destinacionin e mjetit special.
Ky është episodi i tretë i narko-nëndetëseve – siç përkufizohen në zhargon, pavarësisht se nuk kanë aftësinë për të lundruar të zhytur – në këtë rajon iberik.
Rasti më i bujshëm, daton në vitin 2019, kur u bllokua një mjet i tillë me një ngarkesë prej 3 tonë kokainë.
Sipas hetimeve, ai ishte nisur nga lumi Amazon, më pas kishte kaluar Atlantikun për t’u drejtuar në Galicia, ku supozohej t’i “dërgonte” drogën një rrjeti lokal.
Ishte rreth 20 metra i gjatë, kishte tre anëtarë të ekuipazhit në bord, të cilët u arrestuan të gjithë.
Misioni i pabesueshëm i trafikut dështoi për shkak të kushteve të këqija atmosferike, problemeve teknike dhe një takimi të humbur me atë që duhej të vepronte si mbështetës.
Fenomeni i gjysmë-zhytësve është i përhapur në Amerikën Jugore dhe Qendrore, me përfshirjen e karteleve dhe guerrilasve marksistë të FARC-ut kolumbian.
Janë ata që ndërtojnë “anijet” në xhungël dhe më pas i transferojnë në det, duke përdorur kanalet.
Kostoja e tyre është rreth një milion dollarë. Pasi mbërrijnë në destinacionin e tyre, mjetet fundosen, ndërsa ekuipazhi kthehet me ndihmën e rrjetit kriminal.
Vetëm dje, Marina Kolumbiane njoftoi se kishte bllokuar një narko-nëndetëse: dy “piratë” u gjendën të pajetë dhe dy të tjerë në gjendje të rëndë për shkak të tymit toksik në bord.
Madje, për një kohë të gjatë, këto varka konsideroheshin si “arkivole lundruese” për shkak të kushteve të vështira.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje