Gazeta Si – Ka një krizë për mbeturinat në rrugë në Paris. Greva e grumbulluesve të plehrave kundër reformës së pensioneve të Emmanuel Macron, ka mbushur rrugët me mbeturina. Në kryeqytetin francez, mediat raportojne se ka 5.600 tonë plehra të pambledhura nga autoritetet lokale.
Protesta e punonjësve të kanalizimeve kundër vendimit të qeverisë për rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, ka mbërritur në të tetën ditë radhazi.



Tre inceneratorë në periferi të kryeqytetit, Ivry-sur-Seine, Issy-les-Moulineaux dhe Saint-Ouen, do të qëndrojnë të mbyllur të paktën deri të mërkurën.
“Ajo që do t’i japë fund grevës, është që Macron të tërheqë reformën e tij. Nëse po, Parisi do të jetë përsëri i pastër shumë shpejt”, – tha Règis Vieceli, Sekretar i Përgjithshëm i degës së sindikatave CGT-FTDNEEA, cituar nga gazeta “Le Parisien”.
I njëjti autoritet, kujton se mbledhësit e plehrave mund të dalin në pension në moshën 57 vjeç. Një moshë që do të rritej në 59 vjeç në rast të miratimit përfundimtar të reformës së kontestuar të pensioneve.
Sërish, sipas gazetës “Le Parisien”, mobilizimi do të zgjasë edhe disa ditë. “Prioriteti ynë kryesor është çështja e shëndetit publik”, tha Colombe Brosse, këshilltari përgjegjës për pastrimin e rrugëve.
“Ne kemi bërë shumicën e përpjekjeve tona për të mbajtur tregjet e ushqimit të pastër në të gjitha lagjet”, – shtoi Brosse. Por shumë specialistë tashmë kanë dhënë alarmin për rrezikun e përhapjes së minjve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje