Politike

Interpelanca për monumentet e kulturës / Zhupa: Në plan vetëm koncesione. Margariti: I keni në imagjinatën tuaj!

Nga Gazeta Si – Deputetja e PD, Ina Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti lidhur me degradimin e monumenteve të kulturës.

Sipas Zhupës, në fokus të ministres Margariti janë vetëm koncesionet.

“E thirra në interpelancë për deklaratat e saj publike. Koncepti i ministres, pse duhet të zgjedhim që fëmijët të jetojnë brenda rrënojave. Në planet e saj janë vetëm koncesionet. Në Durrës në hyrje të amfiteatrit është ‘Monument kulture mbrohet nga shteti’. Risia që do të sjellë Margariti është të bëhet: ‘Amfiteatri, monument kulture mbrohet nga privati’. Kjo është Shqipëria e shkatërrimit të identitetit se nëse neve sot na ikin shqiptarët, duam të shkatërrojmë dhe trashëgiminë kulturore që nesër pasi të ikin shqiptarët e të vijnë marokenët, të mos keni problem t’i ndryshoni emrin. Qytetet janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që keni bërë dhe e thoni UNESCO ka vetëm mendim rekomandues”, u shpreh Zhupa në foltoren e Kuvendit.

Ndër të tjera, deputetja Zhupa tha se “BE ka një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore, ku e ka cilësuar Shqipërinë si vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e monumenteve kulturore duke u vënë me pikë të kuqe”.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti i është përgjigjur deputetes Ina Zhupa duke i thënë se koncesionet janë vetëm në imagjinatën e saj dhe të Partisë Demokratike.

Sipas Margaritit, zonat më të turpshme që zonat më të turpshme të qyteteve tona, që ishin lënë në harresë po kthehen në zona turistike.

“Koncesionet i keni në imagjinatën tuaj. Harroni se pikërisht edhe hapësirat që kanë qenë zonat më të turpshme të qyteteve tona, ngarkuar me baltë e baraka duke lënë në harresë edhe vetë trashëgiminë kulturore dhe nuk bëhet fjalë për zona perferike, por zona në zemër të qyteteve, po i kthejmë në zona turistike”, u shpreh ministrja Margariti.

Ndërkohë, Ina Zhupa u shpreh se koncesionet janë në Gjykatë Kushtetuese ndërsa përmend rastin e Butrintit duke thënë se ka shumë institucione kundër.

Sipas Zhupës, dhënia me koncesion e Butrintit i ka zhytur totalisht.

“Ju thatë që koncesionet janë në imagjinatën tuaj. Në fakt janë në Gjykatën Kushtetuese se keni dhënë Butrintin me koncesion. Ka dhe institucione të tjera si Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, 36 deputetë, avokatin e popullit mendojnë si unë që është koncesion. Sigurisht të vetmit që e mendojnë ndryshe jeni ju. Këshilli i Ministrave dhe vetë fondacioni. Keni të drejtë që e përmendni Butrintin. Butrinti është ai që ju ka zhytur. 122 monumente kulture janë të shkatërruara”, tha Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë