Ne rrjet

Kërcënoi se do vriste policët në Nju Jork, arrestohet shqiptari në SHBA mbështetës i ISIS-it

Gazeta Si – Një shqiptar është arrestuar në Nju Jork, pasi akuzohet se ka kërcënuar autoritetet policore amerikane me vrasjen e oficerëve para ditës ku zhvillohet Parada e Shën Patrikut në Yonkers.

Sipas mediave amerikane, Ridon Kola akuzohet se ka kërcënuar me vrasjen e oficerëve të pranishëm dhe kryebashkiakut në paradë.

“Kjo është ajo që terroristët duan të bëjnë. Duan t’ju terrorizojnë mendimet dhe t’ju bëjnë të keni frikë”, tha kryebashkiaku Mike Spano.

Një hetim zbuloi kërcënime shqetësuese të Kolës në rrjetet sociale, pasi dyshohet se ka shprehur mbështetje për organizatën terroriste ISIS dhe ekstremizmin radikal islam.

FBI-ja shprehet se ai i ka dërguar një mesazh direkt Policisë së Yonkers në Nju Jork, ku shkruante: “Do të kryqëzoj policët e Yonkers dhe shefat e tyre përgjatë rrugës McLean. Do të jetë një skenë tmerri… Allahu Ekberr”.

Shqiptari, 32-vjeç, jeton pranë rrugës ku zhvillohet parade dhe autoritetet ishin shqetësuar pas publikimit të mesazheve të tij në rrjetet sociale.

Prokurori amerikan tha se këtë muaj, Kola lavdëroi Sayfullo Saipov, duke e quajtur vëlla. Saipov ndodhet në burg përjetë, sepse përdori një kamion për të shtypur 8 persona dhe plagosi disa të tjerë.

Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka bërë publike disa detaje nga hetimi ndaj Ridon Kolës.

Më 9 nëntor 2021, Kola ka dërguar një mesazh në Departamentin e Policisë së Yonkers, ku shkruante në shqip: “Do t’ju masakroj vajza të vogla”.

Më 5 dhjetor 2021, ai ka dërguar sërish mesazh. “Duke nisur nga nesër, do të filloj të vras oficerët tuaj. Thjesht për ta ditur kush e bën, jam Ridon Kola, gjak shqiptari”, thoshte ai.

Ai ka vijuar me postimet kërcënuese dhe më 12 mars 2023, ka postuar një fotografi me një sëpatë në dorë ku shkruante në shqip: “Ejani tradhtarë, po ju pres!”.

“Shumicën e rasteve këto gjëra janë të pabaza dhe nuk ndodhin, por duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të jemi 100 për qind”, – tha kryebashkiaku Spano.

Spano shton se do të ketë forca të mjaftueshme të ligjit në rrugën e paradës të shtunën, si me uniformë ashtu edhe me civilë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë