Bota

Presidencialet në Malin e Zi, Gjukanoviç dhe Milatoviç shkojnë në balotazh. Ikën kandidati pro rus dhe pro serb

Gazeta Si – Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, politikani veteran që ka shërbyer në postet më të larta shtetërore për 33 vjet, do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me rivalin e tij Jakov Milatoviç.

Asnjë prej tyre nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për një fitore në zgjedhjet e së dielës prandaj ata do të shkojnë në balotazh më 2 prill.

Dy kandidatët e tjerë, ai pro rus dhe pro serb, u skualifikuan nga gara presidenciale, psi nuk morën numrin e duhur të votave për të dalë në balotzh në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtim në Podgoricë, tha se sipas rezultateve paraprake presidenti aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka fituar numrin më të madh të votave, përkatësisht, 35.4 përqind.

Gjukanoviç u tha mbështetësve se ishte i kënaqur me rezultatet e arritura.

“Nuk ka asnjë kandidat të përshtatshëm në mesin e tyre, sepse ata janë padyshim të fiksuar për të më mundur mua. Prandaj, kushdo që të jetë kundërshtari im në balotazh, qëllimi im është i njëjti, strategjia ime është pak a shumë e njëjta. Unë do të fitoj. Unë besoj se artikuloj më së miri interesin e Malit të Zi civil, multietnik dhe evropian”.

Gjukanoviç përballet në këto zgjedhje me rivalin e tij ish-ministrin e Ekonomisë Jakov Milatoviç. Kandidati i Lëvizjes Qytetare “Evropa Tani”, ka fituar fitoi 29.3 përqind të votave dhe për të rezultatet e arritura deri në këtë pikë të garës janë fitore.

“Kjo është një fitore e një Mali të Zi më të bukur, më të pasur dhe më të drejtë . Një Mal të Zi për të gjithë ne. Dhe ashtu siç fituam kundër Gjukanoviçit në Podgoricë vitin e kaluar, ne do ta dërgojmë atë në pension të plotë politik më 2 prill”.

Kundërshtarët e akuzojnë Gjukanoviçin dhe partinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza të cilat ai i mohon. Votimi i së dielës vjen në mes të një krize politike njëvjeçare institucionale dhe politike.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet për 14 ditë, pra më 2 prill. Presidenti i vendit zgjidhet për pesë vjet, ndërsa të drejtë vote në këto zgjedhje patën 542.154 qytetarë malazezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë