Taulant Balla la qartazi të kuptoje diku drejtpërdrejte e diku me nënkuptime se Qerim Ismailaj (i marrë i pandehur nga SPAK me akuzën se fshehu një dënim në Greqi në vitin 2000) do të rikandidojë, ashtu si edhe Artur Bushi për Fushë-Krujën apo Armando Subashi në Fier.
Nuk tha të njëjtën gjë për Lefter Allën kryebashkiakun e Bulqizës të arrestuar kur tha se PS nuk është zyrë avokatie për askënd dhe “mbylli gojën” për Arben Ahmetajn për të cilin mediat e pyetën disa herë nëse ishte ende pjesë e grupit parlamentar i PS-së apo edhe shëmbëlltyrë e suksesit në reformën në drejtësi.
Balla qartësoi gjithashtu se ditën e shtunë PS do të ketë gati të gjithë garuesit për zgjedhjet vendore 2023.
Sipas tij, drejtuesit politik te qarqeve do të njoftojnë një nga një kandidaturat pas mbledhjes së kryesisë në fundjave.
“Opozita ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e vettingut. Nëse do t’i hidhni një sy Italisë dhe të bëni një kërkim në Google, ‘arrestato’, kjo nuk ka nevojë për asnjë koment, dhe 2 vite më parë janë arrestuar në SPAK për probleme me drejtësinë, ne do të mbajmë të njëjtin qëndrim. PS nuk është zyrë avokatie për asnjë.
PS ka vendosur një standard, që uroj dhe ta sugjeroj që ta kenë të gjithë. Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës nuk ka asnjë dënim që ta ndalojë që të kandidojë. Nuk ka asnjë ndalim, do jetë kandidati ynë. Bushi është thirrur në SPAK si person që ka dijeni për një çështje, sipas jush nëse shkon në SPAK do të thotë të mos kandidosh më?!”, tha Balla.
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar me 6 muaj burg nga GJKKO për veprën penale të falsifikimit të vulave dhe formularëve, por kjo masë i është konvertuar në 40 orë punë publike.
Ismailaj është shprehur se është i pafajshëm dhe se do vijojë betejat për pafajsinë e tij, duke pohuar se nuk do ta lërë mandatin.
Ndërkohë, i pyetur për Fierin, Balla tha se, “Armando Subashi është ndër më të mirët që kemi”
Balla u tregua i zellshëm të sqarojë procedurën e BE-së për shpalljen “non grata”, kur u pyet për Berishën, por nuk komentoi në asnjë moment një tjetër pozicion delikat të PS-së që lidhet me figurën e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj.
“Unë i mbarova përgjigjet flasim herës tjetër”, i pyetur për Ahmetajn nëse vijon të jetë pjesë e grupit parlamentar.
Pse flet i sigurtë për një vendim të BE-së në raport me Berishën ndërsa nuk flet për qëndrimin e grupit ndaj Ahmetajt? Ishte pyetja drejtuar tij nga mediat.
“Janë dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por krijoni insinuata”, u përgjigj Balla
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje