Gazeta Si – Sërish sulme të tjera nga dronët ukrainas janë zhvilluar orët e fundit në bazat ushtarake ruse në Krime.
Duket se dronët kanë goditur disa vagonë hekurudhore të ngarkuara me raketa ruse “Kalibr” në stacionin Dzhankoi.
Në shënjestër ka qenë edhe aeroporti ushtarak dhe mbrojtja kundërajrore, ndërsa banorët e Krimesë kanë postuar video në Telegram në të cilat dëgjohen shpërthime të forta, ka pasur ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Sergei Askyonov, kreu i autoriteteve lokale pro-ruse, më pas konfirmoi publikisht sulmet dhe njoftoi rrëzimin e dy dronëve.
Një civil u plagos dhe të paktën dy ndërtesa u dëmtuan. Moska nuk jep asnjë konfirmim për shkatërrimin e raketave.
Ndoshta nuk është rastësi që lajmi filloi të qarkullonte dje, vetëm pak orë pas mbërritjes së presidentit kinez Xi Jinping në Moskë dhe gjatë takimit të tij me Vladimir Putin.
Siç ndodh gjithmonë për sulmet e kryera në territorin rus dhe në Krime, Kievi nuk konfirmon asnjë përgjegjësi, por zëdhënësit e qeverisë përgjithësisht i raportojnë “aksidentet” me kënaqësi.
Megjithatë, rëndësia e sulmeve është e qartë: qeveria ukrainase synon t’i sinjalizojë udhëheqësit kinez se çdo proces negociues duhet të paraprihet, ose në çdo rast të shoqërohet, nga tërheqja ruse nga territoret e pushtuara, jo vetëm që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, por edhe në ato të pushtuara në kohën e luftës së vitit 2014.
Gjithashtu, nuk duhet nënvlerësuar se “Kalibr”, janë ndër armët më vdekjeprurëse që rusët godasin kundër Ukrainës.
Duket se ato në Krime, ishin të destinuara për nëndetëset dhe anijet e flotës së Detit të Zi.
Ministria e Mbrojtjes në Kiev, thekson se shkatërrimi i tyre shërben për “çmilitarizimin” e Krimesë “në funksion të çlirimit të saj të afërt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje