Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi në një takim me biznesin e mesëm e të vogël premtoi se do të ulë disa taksa dhe do të heqë disa të tjera. Gjatë takimit, Këlliçi solli sërish ndërmend edhe premtimin e para do ditëve për transport publik falas.
“Historia e këtyre dhjetë viteve në fakt është një histori persekutimi e mirëfillte ndaj afro 54 mijë bizneseve që operojnë në Bashkinë Tiranë. Ndërsa taksat janë rritur në qiell, shërbimet që ofron bashkia si dhe infrastruktura mbështetëse mbeten po të njëjta…
Ne do të reduktojmë masivisht taksat dhe tarifat vendore, jo vetëm se kredoja jona si Parti Demokratike është për taksa të ulta, por sepse ne besojmë se paratë marrin vlerë kur mbeten tek ju, sepse ju mund të investoni më mirë dhe mençur se administrata burokratike. Ne kemi nevojë për iniciativën tuaj dhe tek unë do të keni një aleat të besuar.
Tani, po ju deklaroj në detaje cilat taksa dhe tarifa vendore do të reduktohen:
Mbi 41 mijë biznese të vogla dhe të mesme do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga ky reduktim. Por jo vetëm, edhe bizneset e mëdha dhe ato VIP do të përfitojë. Në fund të ditës të do të përfitojnë të gjithë, 54 mijë bizneset e Tiranës, madje, sado paradoksale të duket, edhe Bashkia e Tiranës…
Bashkia e Tiranës ka sot një buxhet të konsiderueshëm, afro 240 milionë euro. Do të mjaftonte ulja e informalitetit dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, që cdo vit ne të mbledhim pa shumë sforco rreth 65 milionë euro më shumë. Të gjitha këto do të shkojnë në mbështetje te prioriteteve te reja të Bashkisë.
Unë kam deklaruar se Transporti publik do të jetë falas dhe kam deklaruar gjithashtu një përmirësim radikal te shërbimit të transportit publik.
Nuk dua të hyj këtu në shumë detaje teknike sepse do ti jap me hollësi ne ditët në vijim, por ju them se kjo paketë kushton rreth 21.5 milionë euro në vit, ku 16.5 milionë do të mbulojnë heqjen e pagesës për biletat dhe 5 milionë për modernizimin e flotës së autobusëve.
Në një buxhet që shkon minimalisht 300 milionë euro në vit, është vetëm 7.1% e tij.
Plotësisht e përballueshëm për të zgjidhur një ndër problemet kryesore të Tiranës sot: transportin publik i cili kur arrin standardin e kërkuar ul trafikun ul ndotjen, ul shpenzimin e karburantit, dmth koston e familjeve, ul ndotjen e ajrit…” , tha Këlliçi, duke renditur më pas zvogëlimin e disa taksave për biznesin e vogël dhe heqjen e taksës së arsimit për të gjithë.
Premtimet e Këlliçit
• Taksa për arsimin, bëhet zero
• Taksa e fjetjes në hotel, ulet me 30%
• Taksa e tabelës, ulet me 30%
• Taksa e truallit reduktohet me 30%
• Taksa mbi ndërtesën ulet me 30%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje