Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se do të shtynte votimin për rishikimin e gjyqësorit, por analistët thonë se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të qetësuar protestat.
Kryeministri njoftoi se do të shtyjë votimin e dytë dhe të tretë për paketën e ligjeve deri pas festës së Pashkës hebreje nga 5-13 prill, “për t’i dhënë kohë për një debat të vërtetë”.
Netanyahu megjithatë këmbënguli se rishikimi ishte i nevojshëm. Dhe ndërsa ai mund të përpiqet të fitojë kohë, është e paqartë nëse shtyrja e tij e votimit do t’i shuajë protestat e mëdha dhe grevat masive që po paralizojnë vendin, thonë ekspertët.
Gideon Rahat, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Demokracisë së Izraelit dhe një anëtar i Universitetit Hebraik të Jerusalemit, tha se protestat mund të mbyllen ose të rifillojnë në një datë të mëvonshme pas njoftimit, por se demonstruesit janë megjithatë “gati” dhe mund të kthehen në rrugë në çdo moment.
“Protestuesit tani kanë infrastrukturën e duhur për të nxjerrë protestat (në rrugë) brenda pak minutash,” tha Rahat për CNN, duke vënë në dukje se nuk është vetëm një lëvizje proteste, por dhjetëra grupe, disa prej të cilëve mund të vendosin të vazhdojnë të tubohen pavarësisht shtyrjes.
“Infrastruktura është aty, dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të ketë një rikthim (në rrugë),” tha ai.
Ish-kreu i Drejtorisë së Inteligjencës izraelite dhe drejtori menaxhues i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS), gjeneralmajor Tamir Hayman tha se shtyrja e votimit pas festës së Pashkës nuk do t’i japë fund zemërimit në rrugë.
“Protestat do të vazhdojnë nëse Netanyahu nuk do të nënvizojë publikisht se ai gaboi kur drejtoi atë reformë,” tha Hayman për CNN.
“Ky është i vetmi skenar ku do të shohim një ndalim të plotë të të gjitha demonstratave”
Megjithatë, nëse Netanyahu përdor këtë periudhë për të zhvilluar negociatat e duhura me të gjitha palët, dhe përfundimisht paraqet një projektligj të moderuar reformash që miratohet nga opozita, atëherë “ndoshta, në atë rast, do të shohim pushim të protestave”, tha Hayman, duke iu referuar ditës kombëtare të Izraelit më 25/26 prill.
Gjatë fjalimit të tij, Netanyahu përsëriti gjithashtu kritikat e tij për refuzimin e disa rezervistëve për të trajnuar ose shërbyer në ushtri në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të planifikuara.
Kryeministri e kishte shkarkuar më herët ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për kundërshtimin e tij ndaj planit
Shteti i Izraelit nuk mund të vazhdojë me njerëz që refuzojnë të shërbejnë në ushtri,” tha kryeministri. “Refuzimi është fundi i vendit tonë.”
Hayman, nga INSS, tha se protestat mund të përbëjnë një kërcënim sigurie pasi disa brenda ushtrisë mund të fillojnë të ndahen në kampe pro dhe kundër rishikimit gjyqësor.
Ndërsa nuk ka ndodhur ende, tha Hayman, lëvizja masive mund të shkaktojë “boshllëqet, përçarjet brenda njësive (IDF) … që mund të zgjerohen dhe thellohen”.
Disa nga anëtarët ushtarakë të cilëve i referohet Netanyahu po shërbejnë gjithashtu në njësi shumë kritike, tha Rahat. Por duke qenë se ata janë kryesisht vullnetarë që e bëjnë këtë “sepse e duan vendin e tyre”, Netanyahu duhet “të rifitojë besimin e tyre” për t’i rikthyer në postet e tyre.
“Ky është problem legjitimiteti; është problem besimi”, tha Rahat. cnn.com/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje