Politike

Rikthehen bastet sportive, Rama: Do kontrollohen nga një bord kombëtar

Së shpejti do të rikthehet aktiviteti i basteve sportive online. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Rama i cili tha pas disa ditësh projektligji do të hidhet për konsultim publik e më pas do të miratohet në kuvend. Kreu i qeverisë tha se të ardhurat e grumbulluara nga ky aktivitet do të shkojnë për sportin, teknologjinë dhe kulturën.

“Së shpejti do kalojmë në miratim, këto ditë do fusim në agjendë miratimin e basteve online. Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera nuk e kanë bërë. Në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, të jetë një aktivitet ku do futen kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe të ketë garanci për lojtarët. Të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit dhe teknologjisë”, tha Rama.

Me qëllim mbikëqyrjen e këtij aktiviteti do të ngrihet një bord kombëtar, ku do të ketë përfaqësues nga qeveria.

“Do kemi një bord kombëtar mbikëqyrës, kreu i KOKSH, ai i FSHF-së etj, do jenë aty për të bërë ndarjen e të ardhurave për sportin dhe kulturën. Fondi është i konsiderueshëm, kjo sipas parashikimeve. Lëvizja sportive nga poshtë, me të gjitha federatat do ketë rritje. Jemi fokusuar te basketbolli dhe volejbolli për meshkuj dhe femra”, tha Rama mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë