Nga Gazeta ‘SI’- Kryeministri Edi Rama njoftoi se në muajin prill pensionistët do të marrin një tjetër shpërblim prej 5 mijë lekësh.
Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, Rama njoftoi se paratë e mbledhura nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë do të shkojë për këtë kategori, siç qe lajmëruar disa muaj më parë, kur u vendos taksa për prodhuesit.
“Jemi në kushtet kur mund t’ju themi edhe pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë por sot s’kemi veç zotimin e përgjithshëm, por edhe informimin konkret se për pensionistët, do të ketë 5 mijë lekë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme.”, -tha Rama.
Pyetur nga gazetarët e pranishëm, nëse shpërblimi për pensionistët është në shkelje të Kodit Zgjedhor në prag të zgjedhjeve lokale, Rama rikujtoi se premtimi është dhënë shumë më herët.
“Tani, së pari këto janë të gjitha çështje dhe janë të gjitha zotime që janë marrë dhe s’kanë lidhje me kodin zgjedhor e zgjedhjet. Mbi të gjitha për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për 1 mijë e arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe kanë marrë më pak të gjithë, nuk duhet t’i shkojë mendja njeriu ta bëjë këtë pyetje. Kjo nuk mundet t’i shkojë ne mend njeriu që mund të na pengojë se mund të shpërblejmë pensionistët. Nuk i themi dot , ‘ju nuk do merrni gjë se kemi zgjedhjet’”, – tha Rama.
Rama përmendi përsëri korrigjimin e sistemit të pagave duke thënë se pas rritjes së pagës minimale, do të rritet edhe ajo mesatare, e cila për kategori të caktuara, do të shkojë edhe 900 euro.
Ai vazhdoi duke thënë se rritja e pagave në shtet do të nxisë dhe privatin të bëjë të njëjtë gjë.
“Duke qenë se i kemi hedhur bazat, do bëjmë reformën më të rëndësishme për njerëzit. Pagat do të rriten për të gjithë dhe jo vetëm në sektorin publik por kjo reformë do ndikojë dhe sektorin privat. Një administratë e cila ka nevojë të ketë burime njerëzore më të kualifikuara do ta ketë këtë mundësi dhe ndërkohë sektori privat duhet të rrisë pagat nëse e udhëheq këtë proces të forcave më të kualifikuara të punës se përndryshe nuk i mbijeton dot konkurrencës. Shteti do të jetë konkurrent për sektorin privat dhe flas për pagat e larta”, – e mbylli fjalën e tij kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje