Politike

Pse Begaj po heziton të dekretojë kreun e SHISH? Rama: S’merrem me thashethemet e katundit politik

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama i çoi në tryezën e punës Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, emrin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Presidenti nuk e ka firmosur ende emrin e saj, ndërsa Edi Rama u pyet në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, pse kishte hezitim nga kreu i shtetit.    

A ka ai informacion përse presidenti po heziton të dekretojë emrin që ka propozuar për në krye të SHISH, nisur edhe nga një takim me Albin Kurtin dhe nëse kishte marrë informacion prej tij përse e kishte shkarkuar Hysenin nga detyra? Kjo nuk ishte e vetmja pyetje. Një tjetër lidhej me çështjen e Arben Ahmetajt.

“Nga unë do të dëgjoni, pagat, ekonomia, mirëqenia e njerëzve dhe transformimi i përgjithshëm. Këto thashethemet e katundit tonë politik dhe mediatik i kemi bërë bashkë për shumë vite dhe unë nuk kam më shumë kohë për këto pyetje”, u përgjigj Rama.

Në qershor të dy viteve më parë, mediat në Kosovë njoftonin se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kishin marrë vendim për shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e nën-drejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës. Prej asaj kohe, Hyseni punoi si këshilltare e kryeministrit Edi Rama.

Hyseni ishte emëruar zv.drejtoreshë e SHISH-it në Kosovë në shkurt të vitit 2019.

Ajo u emërua me mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, mandat i cili i zgjati deri në fund te qershorit 2021 me shkarkimin e Albin Kurtit kur erdhi kryeministër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë