Bota

Rusia arreston gazetarin e ‘Wall Street Journal’ për spiunazh, rrezikon 20 vjet burg

Gazeta Si – Një gazetar amerikan nga gazeta “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, u arrestua në Yekaterinburg të Rusisë i akuzuar për spiunazh.

Lajmi raportohet nga agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar një deklaratë nga shërbimet e inteligjencës së brendshme ruse, FSB. Gershkovich, 32 vjeç, është rregullisht i akredituar në Ministrinë e Jashtme. Ai akuzohet për spiunazh.

Në një deklaratë, FSB-ja thekson se gazetari, “duke vepruar sipas udhëzimeve nga pala amerikane, mblodhi informacione të mbuluara nga sekreti shtetëror mbi veprimtarinë e një prej ndërmarrjeve të kompleksit industrial ushtarak rus”.

Artikulli i tij i fundit nga Moska, i botuar në fillim të kësaj jave, foli për ngadalësimin e ekonomisë ruse për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura kur trupat ruse pushtuan Ukrainën.

Gershkovich është gazetari i parë i një mediumi amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë.

Sipas mediave ruse, 32-vjeçari Gershkovich, i cili është shtetas i SHBA-së, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh.

Gazetari Dmitrij Kolezev, themeluesi i faqeve të pavarura ‘ura.ru’ dhe ‘znak.com’ dhe më vonë drejtor i ‘It’s My City’, një portal kushtuar ngjarjeve në Yekaterinburg, i shpallur së fundmi agjent i huaj dhe i emigruar në Lituani, ndjek nga afër rastin e Gershkovich.

Mëngjesin e sotëm, ka qenë i pari që ka konfirmuar lajmin e arrestimit. Ai tha se gazetari amerikan erdhi në Ekaterinburg për të shkruar për ndjenjat e përgjithshme ruse ndaj luftës dhe për të hetuar regjistrimin e qytetarëve vendas në grupin ushtarak famëkeq, ‘Wagner’.

Edhe para se vetë shërbimet sekrete ruse të konfirmonin akuzën ndaj tij, Kolezev e kishte nxjerrë këtë skenar, që fatkeqësisht duket mjaft realist.

“Ata me siguri do ta akuzojnë për spiunazh. Ka shumë kompani luftarake në Yekaterinburg. Evan mund të udhëtojë edhe në qytete të tjera të rajonit, ku ka shumë. Më pas do ta zhdukin për një shkëmbim të mëvonshëm me dikë, si Viktor Bout”.

Faqja e internetit ‘Meduza’, pretendon se ditët e fundit Gershkovich kishte shkuar edhe në Nizhny Taghil, një qytet në Urale, ku është vendosur kompania Uralvagonzavod, prodhuesi më i madh rus i tankeve.

Përsëri Kolezev, thotë: “E kam njohur Evan prej vitesh. Ai sigurisht nuk është një guximtar, por një gazetar i vetëdijshëm për rreziqet që ka në Rusi. Dhe sigurisht, nuk ka të bëjë fare me spiunazhin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë