Politike

Debati për Rindërtimin / Tabaku: Qeveria s’pati transparencë për fondet, Ibrahimaj: Janë të tenderuara, rindërtimi vijon me ritme të shpejta

Nga Gazeta ‘Si’-Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se qeveria nuk ka treguar transparencë dhe nuk ka asnjë shpjegim lidhur me fondet e marra dhe grantet pas tërmetit.

“As ministria e Rindërtimit dhe as ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk kanë një raport të qartë të kostove dhe ndërtimit në fushën e rindërtimit.

Sot, shqiptarëve u themi që procesi i premtuar i përfundimit të rindërtimit është i gënjeshtër. Raporti i OSBE-ODIHR vuri në dukje se procesi i rindërtimit u bë pis pasi u përdor për interesa elektorale ndërkohë që transparenca për këtë proces dhe fondet e alokuara për të është shumë e lartë.

Ne, nuk kemi asnjë informacion se kur pritet të përfundojë procesi i rindërtimit? Në buxhetin e shtetit ka një fond prej 5 mld lekësh të alokuar për një proces që dukshëm është shumë larg përfundimit.

Sa është fatura e rindërtimit në total? Sa është vlera totale e fondeve që janë alokuar me VKM?”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se “qytetarët janë sot në errësirë të plotë në lidhje me shumën e parave që është përdorur nga fondi i thuajse 300 mln euro grante që ka përfituar vendi. Në raportin e buxhetit 2020 shkruhet që qeveria ka nënshkruar 277 mln euro nga grantet por sot e kësaj dite nuk kemi asnjë detajim për këto grante.

A janë përkthyer në investime për qytetarët shqiptarë në procesin e rindërtimit grantet që raporti i buxhetit faktik 2020 pretendon se janë marrë në vlerën e 277 mln eurove? A janë raportuar këto grante të marra, sipas buxhetit faktik 2020, në raportin e investimeve vjetore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë?, iu drejtua Ibrahimajt ajo.

Në replikën e saj, me një foto në dorë që tregonte ndryshimin e Thumanës  para dhe pas tërmetit, Ibrahimaj theksoi se rindërtimi vijon me ritme të shpejta dhe se të gjitha fondet e rindërtimit janë të tenderuara dhe tashmë janë subjekt i KLSH-së. 

Ibrahimaj tha se nuk ka asnjë detyrim të prapambetur nga fondet e rindërtimit dhe se nuk është e vërtetë se nuk ka pasur transparencë për përdorimin e fondeve.

“Se di ku e gjeni forcën që thoni se tërmeti po përdoret për qëllime elektorale. Qeveria e ka për detyrë që t’u gjendet pranë çdo shqiptari. Fill pas tërmetit ne u përballëm me pandeminë dhe këto janë ngjarje që nuk mund të merren si të veçanta apo të shkëputura.

Kemi një proces rindërtimi që po vazhdon me ritme të shpejta ndonëse ka pasur dy kriza të njëpasnjëshme. Kjo na jep një mundësi që të tregojmë sesi ne arritëm që të transformojmë lagje të tëra dhe t’u japim një shpresë shqiptarëve”, tha ajo.

Më tej Ibrahimaj shtoi se tërmeti kishte shkaktuar një dëm total prej 1 mld euro.

“Pati shumë njësi banimi të cilat u dëmtuam. Në kushtet e emergjencës qeveria shqiptare u angazhua përmes mekanizmit të fondit rezervë dhe akorduan për të dëmtuarit nga tërmeti. Si asnjë vend tjetër të botës në një kohë rekord të dëmtuarit nga tërmeti u akomoduan në hotele dhe jo në çadra.  Nuk ka detyrime të prapambetura nga fondi i rindërtimit.

Te gjitha fondet e rindërtimit janë tenderuar si çdo projekt tjetër. Të gjitha janë subjekte të KLSH-së. Ju ftoj që kur hidhni këto supozime të vini me shifra e projekte konkrete. Jo me supozime të dëgjuara në ambiente e kafene. Programi i rindërtimit ka një dimension të rëndësishëm sociale. Shkollat me financim të huaj sapo kanë filluar që të rindërtohen. Kemi angazhuar buxhetin e shtetit për shkak të emergjencës, dhe kreditë do të përdoren në të ardhmen.

Ne kemi dhënë informacion sa herë që është kërkuar. Kemi pasur transparencë maksimale për përdorimin e fondeve. Është e rëndësishme që mos të hidhet baltë mbi një proces për të cilin qeveria shqiptare ka marrë përgëzime dhe merita”, tha Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë