Politike

Kaso: Kandidati i pavarur për Devollin me firma të falsifikuara, firmosi edhe familja e kryetarit të bashkisë që garon sërish

Juristi Ivi Kaso i “Rithemelimit” ka denoncuar përmes një konference për shtyp kandidatin e pavarur për Bashkinë e Devollit, Çlirim Hoxha, që, sipas tij, është regjistruar me firma të falsifikuara i ndihmuar nga kryetari aktual i bashkisë, Eduard Duro.  

“…E drejta e gjithkujt për të kandiduar si partiak apo i pavarur është e patjetërsueshme, por jo me manipulime zgjedhore, jo me mashtrime.

Duro përdor mjete jashtëligjore, duke nënshkruar me firma zgjedhësish pa autorizimin e tyre, duke i falsifikuar ato dhe duke përdorur familjarët e vet si firmëtare të një kandidati ‘rival’.

Pas verifikimeve në terren një pjesë e madhe e qytetarëve mohuan të kenë firmosur në këtë listë mbështetje për z. Çlirim Hoxha, dhe disa prej tyre deklaruan përpara noterit publik këtë shkelje, duke nënshkruar se firma e tyre është falsifikuar.

Për këtë kandidati i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Korçës për tre vepra penale”, tha Kaso

Më tej, ai shtoi: “Medias do t’i vëmë në dispozicion listën e plotë të familjarëve të kandidatit socialist për kryetar, që kanë firmosur që në garë për Bashkinë të marrë pjesë edhe rivali-patericë, Çlirim Hoxha. Dy janë mundësitë: ose Duron nuk e votojnë as familjarët dhe ata kanë dalë duke kërkuar një kandidat, ose ai po mundohet të dobësojë rivalin e koalicionit “Bashkë fitojmë”. Meqë në Devoll nuk arritën të marrin askënd peng nga opozita, mesa duket vendosën të shpikin një kandidat të pavarur të cilin e mbështet familja dhe fisi i kryebashkiakut socialist.

Në listën e firmëtarëve bien në sy vjehrri i kryetarit të Bashkisë, së bashkë me vjehrrën, por nuk mungojnë as kunati, krushku dhe krushka. Nuk mungojnë gjithashtu as 200 punonjës të Bashkisë Devoll në krye të të cilëve shkëlqen firma e kulturuar e drejtoreshës së Kulturës në Bashki”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë