Sport

Shqipëria në krizë talentesh sporti, ndryshon ligji për Shtetësinë

Nga Gazeta Si- Nisma më e fundit e qeverisë lidhet pikërisht me mbushjen e boshllëkut të talenteve në fushën e sportit, por jo vetëm. Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, kërkohet ndryshimi i ligjit të Shtetësisë, duke i hapur rrugën “konvertimit” në shtetas shqiptar, që në moshë të vogël.

“Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezident të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve”, thuhet në amendamentin e ri që heq pikërisht kriterin e moshës 18 vjeç që ishte aktualisht në ligj. Mosha është hequr edhe në nenin 9 ku përcaktohej se “Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18vjeç kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit”.

Kjo nismë, sipas relacionit që disponon Gazetasi.al, është marrë pas propozimit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Nga praktika në disa dekada pune, FSHF është e mendimit se vendosja e kriterit “që të ketë mbushur moshën 18 vjeç”, sjell një kufizim të madh në drejtimin e kërkimit, zbulimit të talenteve të reja (jo me shtetësi shqiptare) për dhënien e kontributit të tyre në skuadrat e kombëtares shqiptare. Në sportin e futbollit, dhe jo vetëm në këtë disiplinë, talentet zbulohen dhe trajnohen që në moshë të vogël. Vendosja e detyrueshme e moshës 18 vjeç e bën të pamundur marrjen e një talenti që në një moshë të vogël dhe ndjekjen e tij duke kaluar gradualisht kategoritë e skuadrave kombëtare sipas grup moshave, dhënien e kontributit nëpërmjet përfaqësimit të shtetit shqiptar edhe në skuadrat kombëtare”, thuhet në realicion. Sipas FSHF, karriera futbollistike fillon në moshën 6-7 vjeç, kufiri 18 vjeç mund të jetë penalizues.

Në projektligj nuk përcaktohet nëse do të kërkohet që të merren ose jo shtetas që nuk kanë origjinë shqiptare, duke e lënë enigmatike këtë çështje.

“Nëse një sportist i huaj ose me origjinë Shqiptare (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Preshevë, etj), do të evidentohej dhe do ndiqej nga ana sportive duke kaluar të gjitha kategoritë e skuadrave kombëtare sipas grup moshave, atëherë kontributi real i tij për shtetin shqiptar do të shtrihej në një hark kohor më të gjatë duke sjell përfitime në aspektin sportiv në përfaqësimin e shtetit shqiptar në evenimentet sportive”, thuhet në relacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë