Bota

Lukashenko mbron vendosjen e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenko,ka mbrojtur planin e Rusisë për të vendosur armë bërthamore taktike – duke përfshirë raketa balistike ndërkontinentale nëse është e nevojshme – në territorin bjellorus, duke thënë se vendi ishte i ekspozuar ndaj kërcënimeve në rritje nga Perëndimi.

Duke komentuar këtë çështje për herë të parë që kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi këtë veprim, më 25 mars, Lukashenko tha në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, më 31 mars, se ai e inicioi planin duke i kërkuar Moskës të zhvendosë armët taktike bërthamore në vendin e tij, në mënyrë që të sigurojë aftësinë për të “mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e Bjellorusisë”.

Lukashenko nuk ofroi asnjë provë për ndonjë kërcënim specifik nga Perëndimi.

“Do të doja të shtoja se e gjithë infrastruktura (për armët bërthamore taktike) është gati… Këto janë armë që do të kontribuojnë për sovranitetin dhe pavarësinë tonë”, tha Lukashenko, duke shtuar se Minsku mund të ushtrojë kontroll mbi të gjitha armët bërthamore në territorin bjellorus.

Kjo duket se është në kundërshtim me pikëpamjen e Putinit, i cili gjatë një njoftimi javën e kaluar, tha se raketat taktike do të mbeten nën kontrollin e Moskës. Ekspertët ushtarakë thonë se vendosja e armëve bërthamore taktike do të çonte në krijimin e një baze të përhershme ushtarake ruse në Bjellorusi.

Minsku nuk ka dërguar trupa për të luftuar së bashku me forcat e Moskës në Ukrainë, por Lukashenko e ka lejuar Rusinë të përdorë vendin – i cili kufizohet me Ukrainën në veri – si pikë nisjeje për pushtim.

Bjellorusia gjithashtu i dha Rusisë qasje të plotë në bazat e veta ajrore, kreu stërvitje të përbashkëta dhe trajtoi ushtarët rusë të plagosur në territorin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë