Politike

Berisha ‘josh’ komunistët në Tiranë, Noka firmos për Marko Dajtin përballë Velijat (përsëritet skema me Bashën)

Flamur Noka zyrtarisht në Kuvend është deputet i pavarur. Ndryshe nga përbetimet dhe përplasjet publike me Lindita Nikollën se pse është regjistruar si i tillë në fund të punimeve të Kuvendit vitin e kaluar, Flamur Noka e ka harruar ‘mllefin’ e tij politik ndaj saj por edhe Alibeajt këtë legjislaturë se si ai numri dy i partisë i zgjedhur nga Sali Berisha mund të rezultojë pa parti. Aspak romuze kur sheh se si deputeti “i pavarur” i ka ardhur në ndihmë të firmosë në bazë të Kodit Zgjedhor për një kandidat kundërshtar të Veliajt në zgjedhjet lokale për Tiranën, duke përsëritur një skemë të vjetër të Berishës përdorur për Lulzim Bashën kur ky i fundit ‘fitoi’ bashkinë e Tiranës me votat e të ndjerit Hysni Milloshi.

Skema është përsëritur me komunistin Marko Dajti që deri para do vitesh përbetohej se do të rrëzonte edhe bustin e Ahmet Zogut. 

Marko Dajti do të kandidojë si përfaqësues i Frontit të Majtë, për Bashkinë e Tiranës me firmën e Flamur Nokës si deputet.

 Ai ka qenë Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë e Riorganizuar e më pas kryetar i saj.

Pak ditë më parë, Dajti tha për mediat se situata politike në vend ishte e rëndë. Fajësoi Edi Ramën dhe i qau hallin opozitës se si po goditet nga pushteti.

A është Marko Dajti një taktikë votash për të marrë disa numra si kompensim nga humbja e do votave brenda saj me kandidimin e Roland Bejkos si kandidat zyrtar?  Apo futja në garë e Arlind Qorit, që sigurisht nuk merr votat nga e djathta, ishte një ‘kujtesë’ për Berishën të rifuste në lojë skemat e vjetra që për hir të së vërtetës në të kaluarën patën sukses, por sot ato duhen parë krejt ndryshe në një situatë tjetër dhe kohë tjetër për vetë PD.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë