Politike

Shqipëria 14 vite në NATO, SHBA: Partnere e besueshme, ka promovuar paqen dhe sigurinë! (uron edhe politika)

Shqipëria shënon 14 vjetorin e anëtarësimit në NATO.

Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009.

Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribuues për paqen dhe sigurinë”, shkruan Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada e SHBA thotë se vlerësojnë partneritetin me Shqipërinë dhe se ka treguar përkushtim për të promovuar paqen dhe sigurinë.

“Sot bëhen 14 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria ka qenë që atëherë një kontribuues aktiv në përpjekjet e mbrojtjes kolektive dhe stabilitetin rajonal. Si një anëtare vendimtare e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të promovuar paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe mezi pret të vazhdojë të punojë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan ambasada e SHBA.

Më vonë ka uruar edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta.

“Sot ditë historike, 14 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aleancën politike dhe ushtarake më të fuqishme të kohërave. 

Ky anëtarësim u bë i mundur nga sukseset e reformave të thella dhe gjithanëshme, funksionimi i shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kjo ëndërr u bë realitet për shqiptarët me mbështetjen e fuqishme të presidentit të SHBA, mikut të madh të kombit tonë George Ë. Bush dhe vendeve anëtare të NATO-s.

Sot NATO e udhëhequr nga SHBA është mburoja më e fuqishme e paqes dhe lirisë në botë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet e saj anëtare”, shkruan Berisha. Paralelisht edhe Meta.

“Qytetarët tanë prej 1 Prillit 2009, kanë garancinë e plotë se vendi i tyre gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë përmes ekzistencës së kësaj Aleance. Ata jetojnë në një rajon, për paqen dhe stabilitetin e të cilit, NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm.

Një falënderim e mirënjohje për SHBA dhe në veçanti për Presidentin George Ë. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, në politikë, por edhe në fushën ushtarake e të sigurisë, që realizuan 14 vite më parë rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO…”, shkruan Meta


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë