Monika Kryemadhi nuk dha një përgjigje direkte për artikujt e fundit të publikuar në shtyp mbi mundësinë e marrëveshjeve të biznesit me njerëz të afërt të Putin por akuzoi përmes një deklarate kryeministrin Edi Rama, se po vjell vrer ndaj saj, për një arsye që lidhet me inceneratorin e Tiranës.
“Në 17 Janar 2023, i kam treguar me zë dhe figurë të gjithë shqiptarëve se si vidhen paratë e tyre përmes inceneratorit të Tiranës, ku mbetjet as nuk trajtohen, as nuk digjen, por vetëm groposen primitivisht, ndërkohë që nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, inceneratori merr 29 Euro/Ton për gjasme shërbimin e trajtimit të mbetjeve.
Droni i të vërtetës filmoi për 180 ditë, dhe në 17 Janar, të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre se cfarë ndodh në Tiranë, që me grumbullimin e mbetjeve në një kamion të vetëm, edhe pse qytetarëve i kërkohet ti diferencojnë ato, por edhe panë faktin më skandaloz, se në Sharrë mbetjet as nuk diferencohen, as nuk trajtohen, lëre më të digjen për të prodhuar energji.
Sot, 75 ditë më vonë, ku pagesat e Erion Veliaj për Inceneratorin kanë vazhduar, atje vijon i njëjti skandal i vjedhjes haptazi të parave të shqiptarëve”, tha Kryemadhi.
Më tej ajo nënvizoi: “Në këto 75 ditë, inceneratori i Tiranës ka marrë minimalisht 2 milionë e gjysëm euro, por nëse llogaritet edhe pagesat që ka marrë nga bashkitë e tjera dhe biznesi, kjo shifër mund të rezultojë 4 apo 5 herë më e madhe.
Ja pra, që diferencimi e trajtimi i mbetjeve nuk ka ndodhur.
Ja pra, që djegia e mbetjeve për të prodhuar energji, nuk ka ndodhur.
Ja pra, që pagesa 29 Euro/Ton nuk shkon për të marrë nga inceneratori i Tiranës shërbimin e kontratës koncesionare, por ato para u kthehen në mënyra të tjera Erion Veliajt që i bën këto pagesa, dhe qeveritarëve të tjerë”.
Një mesazh Kryemadhi e kishte për Ramën por edhe kreun e SPAK.
“I kërkoj Ramës, që sa humb kohë dhe para me izralitët duke paguar për lajme të rreme dhe duke blerë sekonda për të hedhur vrer në TV kombëtare kundra meje, bëhu kurajoz.
Hap dyert e inceneratorit dhe tregoji shqiptarëve për krenaritë e tua. Shkojmë bashkë që sot. Përse fshihesh dhe nuk ben transparencë?
Nuk ka kompani në botë që mund të fitojë arbitrazh për mospërmbushje të kontratës! Këto mashtrime nuk mund t’i shiten sot qytetarëve shqiptarë.
Kjo është një kontratë e cila nuk ka përmbushur detyrimet, nuk ka kryer investimet, dhe ka korrupsion brenda të faktuar me fatura tatimore.
Ndaj edhe një kërkesë shkon edhe për Kreun e SPAK, që ta shikojë me vëmendje dhe në mënyrë të plotë dosjen, nisur nga faktet, jo nga SMS e kryeministrit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje