Bota

A mori fund epoka ‘Gjukanoviç’? Rezultatet paraprake në Mal të Zi tregojnë fitoren me 60% të kandidatit Jakov Milatoviç

Në balotazh, presidenti në detyrë Milo Gjukanoviç përballet me një sfidë të fortë nga ekonomisti Jakov Milatoviç, i arsimuar në Perëndim, i cili ka premtuar një fillim të ri pas një viti ngërçi politik. Asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve. Analistët thonë se edhe rezultati i balotazhit pritet të jetë i ngushtë.

Sipas rezultateve primare nga raundi i dytë i zgjedhjeve në Mal të Zi, kandidati për president Jakov Milatoviç ka fituar ndjeshëm me 60% të votave, ndërsa Gjukanoviç me 39,2% të votave. Këto janë vetëm rezultate paraprake, por që në fakt tregojnë prirjen se nga ka shkuar vota e afro 550 mijë malazezëve që kanë pasur sot të drejtë vote dhe kanë dalë të votojnë deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), bazuar në 90,2 për qind të votave të numëruara, Milatoviç ka fituar 60 për qind të votave, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviç rreth 40 për qind.

Sipas të dhënave të CeMI-t, pjesëmarrja ishte 70.6 për qind.

Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT) njoftoi, sipas 89,9 për qind të votave të numëruara, se Milatoviç fitoi 58,1 për qind të votave, ndërsa Gjukanoviç 41,9.

Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidatët për pozitën e presidentit për një mandat pesëvjeçar ishin Milo Gjukanoviqi dhe Jakov Milatoviçi.

Gjukanoviq është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, për shkak të politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.

Ndërsa, Jakov Millatoviq, është kandidati i Lëvizjes “Evropa Tani”, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë më pak se tre vjet më parë.

Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.

Milo Gjukanoviç, 61 vjeç, ka dominuar Malin e Zi si president apo kryeministër për 33 vjet, që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kundërshtarët e kanë akuzuar atë dhe partinë e tij për kapje të republikës së vogël ballkanike, akuza që ata i mohojnë.

Gjukanoviç do të varet nga mbështetja tradicionale e pakicave, malazezëve që jetojnë jashtë vendit, partive pro-perëndimore dhe atyre që abstenuan në raundin e pare të zgjedhjeve.

Gjatë fushatës Presidenti në detyrë i Malit të Zi bëri thirrje për vazhdimësi.

“Ne duam të vazhdojmë të jemi një shtet multietnik, multifetar, multikulturor, që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së”, tha ai.

Kundërshtarët e akuzojnë zotin Gjukanoviç dhe partinë e tij Demokratike të Socialistëve të qendrës së majtë për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar në vendin me rreth 620 mijë banorë. Zoti Gjukanoviç dhe partia e tij i kanë mohuar këto akuza.

Jakov Milatoviç, i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë që mori pushtetin pas protestave fetare pro-serbe në vitin 2020, bashkëthemeloi lëvizjen “Evropa Tani” në vitin 2022, duke u zotuar të frenojë korrupsionin, të sigurojë standarde më të mira jetese dhe të forcojë marrëdhëniet me Serbinë.

“Unë jam këtu për të udhëhequr Malin e Zi drejt suksesit, sepse për një kohë të gjatë ne jemi udhëhequr nga të pasuksesshmit”, tha zoti Milatoviç në një tubim fushate.

Banorët e Malit të Zi shpresojnë që zgjedhjet do të ndihmojnë në tejkalimin e ngërçit gati njëvjeçar politik në vend.

“Shpresoj që qytetarët do të vendosin se na duhet një rrugë evropiane, sepse situata është vërtet e pasigurt dhe kemi perspektiva kontradiktore. Kjo është gjithçka që mund të them”, thotë Dragana Rijavsek.

“Ne jemi në një pikë kthese vendimtare tani, dhe ndërsa besoj se fillimisht gjërat do të përkeqësohen, pas kësaj besoj se do të shfaqen forca të caktuara që përfundimisht do ta shtyjnë Malin e Zi në drejtim të përmirësimit, që tani nuk mund ta shoh nga asnjëra palë”, thotë Dushan Pejoviç.

Zoti Gjukanoviç mori 35.37% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 mars, ndërsa zoti Milatoviç 28.92%, duke e dërguar vendin në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 50% të votave.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.

Rregullsia e procesit zgjedhor është monitoruar nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropianë dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik. /Vijesti, VOA, REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë