Bota

Bullgaria mban sot zgjedhjet parlamentare, hera e pestë në dy vite

Bullgarët po hedhin votën e tyre në zgjedhjet e pesta të përgjithshme në dy vjet, duke shpresuar t’i japin fund destabilitetit politik dhe të ndihmojnë në kapërcimin e vështirësive ekonomike të nxitura nga lufta në Ukrainë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe rezultatet fillestare të exit poll-it do të shpallen pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 20:00. Pjesëmarrja pritet të jetë e ulët për shkak të zhgënjimit të votuesve me politikanët, të cilët nuk kanë arritur të formojnë qeveri të qëndrueshme dhe të ofrojnë qeverisje në një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara anëtare të BE.

Sondazhet e fundit tregojnë për një garë të ngushtë midis partisë GERB të kryeministrit Bojko Borisov dhe partisë liberale “Ne Vazhdojmë ndryshimin” të ish-kryeministrit Kiril Petkov. Të dyja partitë kanë marrë 26% të votave.

Pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor ka thelluar krizën politike që ka përfshirë Bullgarinë që nga viti 2020, paqëndrueshmëria më e rëndë që nga rënia e komunizmit.

Më shumë se 5.600 kandidatë që përfaqësojnë 14 parti politike dhe shtatë koalicione partiake kanë kandiduar për të zënë 240 ulëset në Asamblenë Kombëtare, parlamentin e Bullgarisë. Një parti duhet t’i sigurojë të paktën 4 për qind të votave për të fituar ulëse në parlament.

Bullgaria është qeverisur kryesisht nga qeveritë e përkohshme të emëruara nga presidenti Rumen Radev. Kjo pasi zemërimi i grumbulluar për vite të tëra për korrupsion u shndërrua në protesta masive në vitin 2020. Kriza politike e ka shtyrë Bullgarinë të shtyjë miratimin e euros si valutë deri në vitin 2025. Vendi ballkanik me afro 8 milionë banorë, i dyti më i korruptuari në BE sipas Transparency International, po lufton gjithashtu me inflacionin e rritur që po pengon rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia Covid 19. Bullgaria kishte normat më të larta të vdekshmërisë nga Covid 19 në BE, për shkak të përqindjes së ulët së të vaksinuarve.

Pavarësisht konsensusit bazë që Bullgaria duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka mosmarrëveshje në masën në të cilën Sofja duhet të mbështesë Ukrainën në luftën me Rusinë. Kjo ka bërë që shumë vëzhgues që quajnë Bullgarinë si ‘lidhjen më të cenueshme të NATO-s ndaj ndikimit rus’.

Analistët mendojnë se lufta, inflacioni dhe një përçarje në rritje midis kampeve pro-ruse dhe pro-evropiane mund të shtyjë më shumë bullgarë të votojnë për partitë nacionaliste dhe pro-Moskë të dielën. Shpresat për zbatimin e reformave të shumëpritura kundër korrupsionit u shuan qershorin e kaluar, kur qeveria pro-perëndimore e kryeministrit Kiril Petkov u rrëzua me mosbesimin në parlament pas vetëm gjashtë muajsh në pushtet. Petkov më pas pretendoi se Moska kishte përdorur taktika të “luftës hibride” për të rrëzuar qeverinë e tij.

Në shkurt, presidenti Rumen Radev shpërndau parlamentin dhe caktoi datën për zgjedhjet e parakohshme pasi gjashtë përpjekjet për të formuar një qeveri kishin dështuar. Sondazhet e fundit sugjerojnë se shanset për një fund të menjëhershëm të ngërçit politik janë të ulëta.

Një qeveri e qëndrueshme mund të formohej vetëm nga dy formacionet kryesore politike në koalicion, por Borisov është një figurë përçarëse, e akuzuar gjerësisht për korrupsion nga kundërshtarët e tij. Partia e Petkov refuzon çdo marrëveshje koalicioni me GERB-in nëse Borisov mbetet në krye të saj dhe propozon një qeveri të pakicës me mbështetjen e GERB – e cila nga ana tjetër e hedh poshtë idenë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë