Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zhvilluan sot bisedime trepalëshe gjatë panairit të verërave në Bardolino të Italisë. Pasi kanë bashkërenduar agjendat në kuadër të projektit Ballkani i Hapur, ata kanë pasur edhe deklarata politike, ku pa dyshim, në fokus kanë qenë edhe negociatat mes Serbisë dhe Kosovës.
I pyetur gjatë një konference të përbashkët shtypi, presidenti serb Vuçiç hodhi poshtë mundësinë e një përplasje të madhe me Kosovën të ngjashme me pushtimin rus në Ukrainë. Ai tha se do të bëjë gjithçka është e mundur që të shmangë përshkallëzimin e marrëdhënieve pasi mendon se nuk është në dobinë askujt.
“… çfarë duhet të bëjmë?! Të luftojmë më shumë?! Të zihemi më shumë?! Të kemi më shumë përplasje?! Të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë? Sepse shoh që ka shumë njerëz në Serbi, që do të donin të shihnin një përplasje të madhe a nuk di çfarë. Çfarë prisni nga ne?! Prisni nga ne që ta bëjmë këtë ngarkesë politike edhe më të madhe, edhe më të rëndë për të gjithë qytetarët serbë apo qytetarët shqiptarë? Unë do të bëj maksimumin tim për ta shmangur dhe besoj se dhe Edi po bën të njëjtën gjë. Besoj në miqësinë e ardhshme mes qytetarëve shqiptarë dhe serbë”, tha Vuçiç.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se çështja e Kosovës përbën mosmarrëveshjet më të mëdha të Shqipërisë me Serbinë. Ai vuri theksin te normalizimi i marrëdhënieve, dialogu dhe lënia pas e së shkuarës. “Dialogu është në një pozitë tjetër sot dhe unë besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër dhe më duhet t’iu them që jam takuar me kryeministrin Kurti para pak ditësh dhe pashë që ishte shumë më i hapur dhe konstruktiv sesa më parë. I thashë atij, ia thashë publikisht dhe e përsëris se është shumë e rëndësishme që të nxisim e të sigurohemi që si pjesa e Asociacionit dhe aspekti fetar i dialogut të garantohen 100% për qytetarët serbë në Kosovë që janë pakicë e duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem midis të gjithëve ne në të ardhmen”, tha Rama.
Ai shtoi se Kosova ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë për të ecur përpara dhe njëfarësoj për ta lënë pas krahëve të shkuarën.
Tre krerët e shteteve pohuan se rëndësinë e Ballkanit të Hapur, pasi saipas tyre, vetëm nga ky bashkëpunim, shkëmbimi tregtar u rrit me 24.8 për qind.
Panairi më i madh të verërave, “Vinitaly 2023”, po mbahet në Verona të Italisë, dhe të në Shqipëria përfaqësohet me 75 etiketa verërash. Rama tha është hera e parë që prodhuesit e tre vendeve mund të shfaqin produktet e tyre në “ligën e madhe të kampionëve”.
Rama kishte edhe një mesazh për tre vendet e tjera, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi që pret të bëhen sa më shpejt pjesë e iniciativës së Ballkanit të Hapur. “Duhet të vazhdojmë në këtë drejtim, të përballemi me të gjitha pengesat dhe problemet. Dashuria për vendin tënd nuk do të thotë të urresh të tjerët. Le të vazhdojmë të ecim përpara dhe kjo do të na ndihmojë”, përfundoi Rama.
Edhe Vuçiç përmendi rritjen e shkëmbimit tregtar. “Pengesa më e madhe për ne në Ballkanin Perëndimor janë kufijtë, sepse kur ke një kamion që transporton, ata vozisin 30% të kohës dhe 70% e shpenzojnë në pikat kufitare”, tha Vuçiç. Po ashtu u shpreh se së shpejti pret që përfundimi i procesit të sigurimit të lejeve të punës të kryhet deri në korrik.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovaçevski theksoi se kufijtë në Ballkan janë budallallëk që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse pengojnë lëvizjen e lirë. “Nuk ka budallallëk më të madh sesa kufijtë në Ballkan. Ne jemi vende pa kufij dhe jemi të vetmet vende me kufi në Europë. Kur shkon në veri në Serbi deri në Skandinavi nuk ka kufi. Kur shkon nga perëndimi i Serbisë deri në Portugali nuk ka kufi dhe të vetmit kufi janë në Ballkan”, tha Kovaçevski.
Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski ndodhen në Verona në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje