Politike

Rama: Gjysma e parave të fushatës së 14 majit do të shkojë për mbjellje fidanësh. Shqipërinë e mafies e kemi lënë pas

Në ceremoninë hapëse të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit, e para në Ballkan, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk është ajo që lexojnë në media dhe se ka mbetur në të shkuarën krimi, droga, prostitucioni e mafia.

Ai iu bëri thirrje pjesëmarrësve “të shijojnë dallimin mes stereotipit të Shqipërisë dhe perceptimeve të tyre”.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Kështu shkruan Kodi i shqiptarëve, i pari ligj i shkruar i këtij vendi këtu e më shumë se 5 shekuj më parë dhe për sa kohë zoti na vjen në derë përmes atij që shfaqet në pragun e shtëpisë sonë, ky i fundit është zot shtëpie për aq kohë sa qëndron mes nesh.

Miq të ardhur nga 38 vende të botës, ndihuni zotër në shtëpinë tonë. Shijoni sa të mundeni dallimin mes stereotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja për vendin krejt tjetër ku keni ardhur sot.

Ky që shikoni është i vërteti ndërsa vendi i krimit, i mafies, krimit, drogës, prostitutave e plehrave, hajdutëve e lypsave është pjesërisht një vend të cilin ne e kemi lënë pas në të shkuarën dhe pjesërisht që e mban gjallë në retorikën e tyre dashakeqe dhe spekulante vendas dhe të huaj me gojën e tyre apo penën e tyre”, tha Rama.

Rama, deklaroi se duke filluar nga 14 Prilli deri në fund të muajit, paratë e fushatës elektorale do të përdoren për të blerë dhe mbjellë fidanë.

Më pas, dy javët e tjera do të jetë fushatë elektorale tradicionale.

“Jemi para zgjedhjeve dhe do të marrim vendim se duke qenë se gjysma e fushatës sonë përkon me periudhën e fundit të mbjelljeve, të gjitha takimet tona e mitingjet tona do jenë vetëm për mbjellje dhe paratë e fushatave do të shkojnë për mbjellje. Mendoj që kjo do të jetë fushatë me 0 karbon për gjysmën e saj. Ju ftojmë që të na ftoni për gjysmën e fushatës se pastaj do të bëjmë gjysmën tjetër.

Me këtë lajm që duke qenë se fushata nis me 14 prill dhe mbaron me 14 maj paratë e fushatës për regjira, podiume, mitingje, mikrofona e ndotje akustike do t’i vëmë në dispozicion të fidanëve. Mbase do ta marrin edhe vendet e Europës këtë model”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë