Bota

Von der Leyen, para vizitës në Kinë: Pekini duhet të ndikojë te Rusia për paqen në Ukrainë

Gazeta Si – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i bën thirrje Pekinit të luajë një rol “konstruktiv” për të sjellë paqen në Ukrainë.

Ajo ka folur për “Financial Times”, ndërsa përgatitet për një vizitë të përbashkët në Kinë me presidentin francez Emmanuel Macron.

BE-ja është “e shqetësuar për pozicionin e miqësisë së Kinës me Rusinë” dhe beson se Pekini duhet të përdorë lidhjet me Moskën për të frenuar luftën, shpjegoi ajo.

“Kina është në gjendje të ndikojë në Rusi në mënyrë konstruktive dhe për këtë arsye ka një përgjegjësi, – vijoi Von der Leyen. – Nuk mund të jesh në mes, nuk mund të jesh gjysmë në favor të rendit ndërkombëtar”.

Von der Leyen gjithashtu theksoi se presidenti Xi Jinping vizitoi Moskën muajin e kaluar, por nuk bëri një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“FT” kujton se Macron do të ketë “gjashtë ose shtatë orë” takime me Xi në një udhëtim që do të fillojë të mërkurën në Pekin dhe do të përfundojë në Guangzhou.

Falë veprimeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet sanksioneve dhe ngrirjes së aseteve, “marzhi financiar i Rusisë është reduktuar me efekte shkatërruese”, duke e detyruar Kremlinin të zgjedhë nëse do t’i ndajë burimet “për luftën apo për qytetarët e tij”.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken e tha këtë kur hapi këshillin e energjisë BE-SHBA në Bruksel, duke kujtuar se si një oligark rus (Oleg Deripaska, manjati i aluminit), tha se “vitin e ardhshëm nuk do të ketë më para” në Rusi.

“Sot ne do të fokusohemi se si të reduktojmë më tej varësinë evropiane nga energjia ruse, – nënvizoi Blinken, – dhe të forcojmë prodhimin euroatlantik të energjisë së pastër”.

Në vitin 2022, SHBA-ja furnizoi BE-në me “56 miliardë metra kub gaz natyror të lëngshëm”, ose “40% të totalit të importeve evropiane me një rritje prej 140% krahasuar me 2021”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë