Politike

Rama: Dyfishuam të ardhurat për frymë. BB: 900 mln euro për projekte, në fokus frenimi i ikjes së shqiptarëve

Nga Gazeta ‘Si’ – Në një konferencë për mediat me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, kryeministri Edi Rama u shpreh se nga viti 2013 gati janë dyfishuar të ardhurat për banor dhe njoftoi se vendi ynë ka marrë në dispozicion 900 milion euro për një program zhvillimi, për periudhën 2023-2027.

“Kemi hedhur bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim në funksion të objektivave tona të shpallura në vizionin Shqipëria 2030. Mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3330 euro kur ne morëm detyrën, në 6190 euro sot, 87.5%, gati dyfish”, u shpreh Rama.

LEXO EDHE:
– Kodi ia lejon, Rama me punonjësit e administratës: Rris pagat me dy hapa brenda një viti
– Në vitin 2021, bizneset e huaja në Shqipëri patën rritje të papërfillshme

Më tej, në një bilanc të situatës ekonomike në Shqipëri gjatë 2022-shit, ai theksoi se eksportet janë rritur me 57 përqind nga viti 2019, po ashtu edhe të ardhurat nga turizmi.

“Për të mos bërë krahasime të tjera, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe vitin para krizës së madhe të pandemisë. Eksportet në Shqipëri në vitin 2022 kanë në arritur 4.1 mld euro. Kjo është Shqipëria që s’ka punë, ku të gjithë ikin, ka vetëm pleq, ka eksportuar 4.1 mld euro në 2022, 57% më shumë se në 2019, falë punës dhe njerëzve të punës.

Falë konkretizimit të të gjithë atyre përpjekjeve që kemi bërë në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë. Eksportet bujqësore janë rritur me 59% krahasuar me 2019. Të ardhurat nga turistët e huaj janë 2.84 mld euro, 36% më shumë se në 2019. Numri i turistëve preku 7.5 mln. Rritja e të ardhurave dy herë më shumë se numri i vizitorëve.

Në fund të viti 2019 kishim 4217 ndërmarrje me kapital 100% të huaj, në fund të vitit 2021 kanë operuar 5250”, u shpreh Rama.

I pyetur për rritjen e pagës mesatare në 900 euro, Rama tha se ky proces nuk do të ndodhë duke marrë borxh.

“Ne do i rrisim pagat dhe do vazhdojmë të ulim borxhin sikur e kemi ulur gradualisht dhe sikundër kemi ecur konform gjithë planit të stabilitetit makroekonomik në aspektin e borxhit.

Rritja e pagave është një domosdoshmëri e mundshme. Sot është e mundur sepse kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës mbi të cilën rrisim pagën. Ato shifra që iu dhashë janë arsyeja pse rrisim pagat, nga të ardhurat e turizmit përshembull, eksporteve, nga të ardhurat e punës, janë arsyeja pse rriten pagat. Rritje që është shumë e lartë në raport me rritjet e bëra në të shkuarën, po e mirë kalkuluar dhe e qëndrueshme”, tha Rama.

Gjithashtu për rritjen e pagave, ai tha se krahas sektorit publik duhet inkurajuar edhe ai privat dhe se “kompanitë dhe sipërmarrjet e sektorit privat duhet të heqin dorë nga keqtrajtimi i punonjësve.”

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas u shpreh se janë tre shtylla kryesore ku do të investohet, ndërsa theksoi se në 4 vite të zbatimit të projekteve do të investohen 900 mln euro.

Salinas është shprehur se fokusi i programeve të BB-së është hapja e sa më shumë vendeve të punës ku në fokus do të jenë të rinjtë dhe gratë.

Kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë 900 milionë euro, tha Salinas

Ndër të tjera ai ka theksuar se është e rëndësishme që një vëmendje të veçantë të ketë kapitali njerëzor për të shmangur largimin e qytetarëve që ka prekur Shqipërinë së fundmi.

“Në të ardhmen sfida jonë është të krijojmë vende më të mira puna. Të krijojmë stimuj që njerëzit të punojnë këtu. Shtylla e dytë tek kapitali njerëzor. Siç e dimë të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria por mund të forcojmë këtu kapitalin njerëzor, duke përmirësuar arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Së treti shtylla e tretë përqendrohet tek rezistenca, tek qëndrueshmëria. Duket sikur çdo vit ka një krizë shumë të madhe. Duhet të rrisim rezistencën për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen.

Kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë 900 milionë euro. Presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti”, tha Salinas.

Ai gjithashtu tha se po punohet ngushtë me Ministrinë e Financave për Amnistinë Fiskale.

“Ne duhet ta shohim tablonë më të gjerë dhe tabloja më e gjerë ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale. Në Shqipëri janë bërë përpjekje për të krijuar amortizues fiskal dhe për të trajtuar çështje me të cilat vendi përballet shpesh. Bashkëpunim me MF kërkon që të shohë këtë tablonë më të gjerë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë