Bota

Suedi, Gjykata e Lartë autorizon djegien e Kuranit: Anulohet vendimi i policisë

Gazeta Si – Të parandalohet djegia e Kuranit nga një qytetar? E paligjshme! Këtë e ka vërtetuar Gjykata e Lartë suedeze, e cila në një seancë, ka anuluar një vendim të policisë, që daton në shkurtin e kaluar, i cili ndalonte djegien e tekstit të shenjtë të Islamit.

Vendimi u mor pasi avokati danez, Rasmus Paludan (udhëheqësi i partisë “Hard Line”), kishte djegur një kopje të librit në fund të janarit gjatë një proteste përpara ambasadës turke në Stokholm, në fund të një mitingu shumë të zjarrtë, ku kishin marrë pjesë edhe anëtarë të formacioneve të ekstremit të djathtë.

Një gjest që kishte shkaktuar zemërimin e Ankarasë dhe bëri që presidenti turk Rexhep Erdogan të pezullonte bisedimet për hyrjen e vendit nordik në NATO.

Reagimi i parë i qeverisë suedeze ndaj ankesave të Ankarasë e zgjeroi përçarjen midis dy vendeve: ajo me të vërtetë e kishte dënuar gjestin dhe deklaroi se nuk ndante parullat e demonstruesve, por shtoi se “djegia e Kuranit nuk është krim në Suedi”.

Megjithatë, në shkurt, policia kishte refuzuar një kërkesë të re për një gjest të ngjashëm, këtë herë që do të bëhej para ambasadës irakiane (Gjykata e Lartë ka vendosur pikërisht për këtë).

Pak ditë pas gjestit të Paludanit, ndër të tjera, u zbulua se Chang Frick, ish-bashkëpunëtor i kanalit të propagandës ruse “Russia Today”, kishte paguar shpenzimet për autorizimin e asaj demonstrate (320 korona, afërsisht 32 euro).

“Unë nuk i thashë të digjte Kuranin, por një flamur të caktuar. Doja që aksioni të ishte kundër Turqisë, asgjë tjetër”, u justifikua Frick.

Tre javë më parë, më 11 janar, një protestë në favor të separatistëve kurdë të PKK-së ishte mbajtur përpara bashkisë së kryeqytetit suedez, gjatë së cilës një manekin e Erdoganit ishte varur me kokë poshtë.

Natyrisht, vendimi i gjykatës së lartë skandinave nuk është ndër “aktet konkrete” që Ankaraja kishte thënë se priste nga Suedia të mbështeste hyrjen e saj në Aleancën Atlantike.

Përkundrazi, ka ndodhur e kundërta. Dhe tensionet ziejnë. Vetëm sot në mëngjes, shërbimet sekrete të Stokholmit njoftuan arrestimin e pesë të dyshuarve: duket se ata donin të planifikonin akte terroriste pikërisht si hakmarrje për aktin e Paludan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë