Bota

Finlanda hyn zyrtarisht në NATO, në 74-vjetorin e themelimit të Aleancës Ushtarake

Gazeta Si – Finlanda është anëtarësuar zyrtarisht në NATO, si anëtari i 31-të i organizatës së traktatit ushtarak pikërisht në ditën e 74-vjetorit të themelimit.

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto i ka dorëzuar dokumentet e nevojshme homologut të tij amerikan Antony Blinken. Finlanda tani e konsideron veten të paprekshme.

Pekka Haavisto, Ministri i Jashtëm finlandez, përfundoi procesin e anëtarësimit duke i dorëzuar një dokument zyrtar Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Pranimi i Finlandës është një pengesë për Vladimir Putinin, i cili vazhdimisht ka kritikuar zgjerimin e NATO-s përpara pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës.

Si akt të parë pas anëtarësimit, presidenti finlandez ia dorëzoi Sekretarit Amerikan të Shtetit ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO.

Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

“Putini kishte deklaruar se qëllimi i pushtimit të Ukrainës [ishte] të kishte më pak NATO, ai donte më pak NATO përgjatë kufijve të tij, donte ta mbyllte derën e NATO-s. Ai po merr pikërisht të kundërtën”, tha Jens Stoltenberg, shefi i NATO-s, pas anëtarësimit të Finlandës.

Ndërkohë, përgjatë të martës, në Helsinki, flamujt e NATO-s janë ngritur së bashku me flamurin kombëtar finlandez para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, një ndërtesë që fillimisht u ndërtua për ushtrinë e Perandorisë ruse në shekullin XIX.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Rusia do të marrë masa, duke e përshkruar zgjerimin e NATO-s si shkelje të sigurisë dhe interesave kombëtare të vendit.

Finlanda ndan një kufi në lindje prej 1,340 km (832 milje) me Rusinë dhe zyrtarisht aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n me Suedinë majin e kaluar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë