Bota

Moska: Jemi në një fazë lufte “të nxehtë” me SHBA-në. Kievi: Rimarrim Krimenë për 6 muaj  

Rusia dhe SHBA-ja kanë hyrë në një fazë “konflikti të nxehtë”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov për radion Sputnik. “Tani jemi në fazën e një konflikti të nxehtë me Shtetet e Bashkuara. Ne po e shohim këtë shtet duke u përfshirë drejtpërdrejt në një luftë hibride me Rusinë në një sërë fushash. Disa forma të kësaj lufte janë thjesht të paprecedenta – ato thjesht nuk ekzistonin dhe nuk mund të ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë”, denoncoi Ryabkov sipas raporteve të RIA Novosti.

Ndërkohë, Rusia synon të “vazhdojë të punojë për të zbatuar” një plan për të garantuar sigurinë rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore. Kështu deklaroi kreu i agjencisë atomike Rosatom, Alexei Likhachev, duke u takuar të mërkurën në Kaliningrad me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, i cili vizitoi centralin e kontrolluar nga Rusia këtë javë

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, nga Kievi vjen zotimi se Krimea do të rimerret brenda 6 muajsh.  

“Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të trajtuar situatën në Krime. Ukraina do ta rimarrë gadishullin në një kohë shumë të shkurtër, nga pikëpamja historike është shumë e shkurtër – gjashtë muaj, pesë muaj, shtatë muaj. Ndoshta ky është një optimizëm i tepruar, por është një optimizëm i verifikuar matematikisht. Ura e Kerçit do të shembet pas de-okupimit rus”, tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak në një intervistë për Krym.Realii. Për Podolyak, nëse Moska fillon të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, Kievi mund të ulet në tryezën e bisedimeve me Moskën dhe “të diskutojë çështjen e tërheqjes diplomatike të rusëve nga Krimea e pushtuar përkohësisht”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë