Politike

Shefja e ODIHR ndan punët për zgjedhjet lokale: Do shikojmë si janë financuar fushatat (Pyetet a do takohet me Berishën)

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Audrey Glover,  prezantoi përmes një konference për shtyp objektivat dhe mënyrën se si do të vëzhgohen zgjedhjet.

 “Ne monitorojmë zgjedhjet për të parë përputhshmërinë e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare.  Kemi pasur bashkëpunim të mirë më KQZ dhe presim që të vazhdojmë në këtë drejtim. Të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet vendase.  Ne do të kemi një ekip në Tiranë prej 13 ekspertësh, ku përfshihen ekspertë ligjorë, ekspert për zgjedhjet. Do të kemi së shpejti edhe 24 vëzhgues afatgjatë, që do të mirëinformohen për zgjedhjet dhe do të shpërndahen në të gjithë vendin.  Për ditën e zgjedhjeve do të na bashkohen delegacioni i Parlamentit Evropian si dhe përfaqësues nga Kongresi i KiE për autoritete vendore”, u shpreh Glover.

“Të gjitha vendet anëtare të OSBE janë shprehur për të zhvilluar zgjedhje në përputhje me këto standarde. Ne do të lëmë faktet që të flasin për të vërtetën.  Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre elementeve: punës së administratës zgjedhore dhe zbatimit të rekomandimeve të mëparshme, frymës së fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e minoriteteve dhe aksesit të PAK në proces.  Më kujdes do të shikojmë mënyrën se si janë financuar fushatat zgjedhore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjit është po aq i rëndësishëm sa ligji vet. Dhe për zbatim kërkohet vullnet”, shtoi ajo.

Shefja e ODIHR sqaroi se para zgjedhjeve do të dilet me një raport të ndërmjetëm dhe ditën e zgjedhjeve më pas pritet të ketë një deklaratë për gjetjet

“Raporti final do të publikohet rreth 8 jave pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe do të përfshijë edhe rekomandimet për zgjedhjet e mëpasshme.  Në këto rekomandime do të parashikohen mënyrat se si ODIHR kërkon të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces.  Ne jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me OSBE-në  Të gjithë të kemi besim te procesi zgjedhor. Që procesi të ketë integritet zgjedhësit do të mund të bëjnë zgjedhje reale të mirëinfomuar mes kandidatëve të ndryshëm. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar.  Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, vijoi Glover.

E pyetur nga gazetarët nëse do të takohet me Sali Berisha edhe pse ky i fundit është shpallur non-grata nga SHBA, Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover tha se është e gatshme të takohet me këdo që është i përfshirë në procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

“Do isha e lumtur të takohesha me këdo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor” u përgjigj Glover.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë