Ka ndodhur

8 të arrestuar në dy operacione antidrogë në Durrës, sekuestrohen para dhe kokainë

Tetë persona janë vënë në pranga në dy operacione policore antidrogë, të koduara “Foremost” dhe “Last deal”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Gjatë operacionit të koduar “Foremost”, u arrestuan 4 shtetas që vepronin si grup kriminal, për shpërndarjen e drogave të forta, në zonën e Sukthit. Po 4 persona u arrestuan edhe gjatë operacionit “Last deal”. Këta shtetas vepronin si grup kriminal, për shpërndarjen e drogave të forta, në qytetin e Durrësit.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Deal” u arrestuan shtetasit: -G. M. (alias G. L., G. M., G. F.), 48 vjeç, i dënuar më parë; -T. M., 43 vjeç, banues në Sukth, i dënuar më parë; -A. H., 24 vjeç dhe A. V., 17 vjeç, të katërt banues në Sukth. -Në kuadër të operacionit “Foremost” u arrestuan shtetasit: -E. C., 25 vjeç, G. K., 23 vjeç dhe K. B., 24 vjeçe, të tre banues në Durrës, si dhe S. B., 24 vjeç, banues në Shijak”, thuhet nw njoftimin e policisw.

Policia ka sekuestruar një pako me kokainë, dhjetëra doza kokaine, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga shitja e drogës dhe 2 automjete luksoze.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë