Politike

Tabaku: Pse rritja e pagës mesatare nuk është dobiprurëse

Kryeministri Edi Rama deklaroi se vitin e ardhshëm paga mesatare do të jetë 900 euro.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka argumentuar se kjo lëvizje e Ramës nuk është dobiprurëse.

“Ka një arsye se përse qeveria kaloi tek paga mesatare pasi në buxhetin 2023 u morr me gjithçka përpos kësaj teme: inflacioni socialist që sot ka shënuar rritjen e inflacionit bazë në mbi 8%, më i larti në rajon.

Me çmimet e produkteve ushqimore dhe shportës bazë të rritur me mbi 10%. Ndërkohë që ekonomia parashikohet me një rritje të mefshtë 2.2%, qeveria ndërmori hapin e radhës; taksimin socialist me 23% të shtresës së mesme.

Praktikisht ia rëndoi barrën fiskale gjithë shtresës së mesme me 20 milionë euro pasi ia ka kthyer jetën në ferr për 10 vjet. Perspektiva e rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik është në minimum sepse sistemi i ngritur nuk është fizibël dhe as meritokratik.

Prandaj dhe rritja e pagës mesatare me urdhër qeverie as është dobiprurës në afatgjatë dhe as zgjidh problemin e vërtetë që rrezikon ekonominë: emigrimi dhe këneta ekonomike ku jemi prej 10 vitesh”, shkruan Tabaku.

Reformat që duhet të ndërmerrte një qeveri e shumicës, sipas saj, duhet të kishin fokus: konkurrencën, tregun e lirë, meritokracinë dhe një politikë fiskale me në qendër qytetarin.

“Këto reforma duan guxim dhe vullnet politik; të dyja janë cilësi që i mungojnë qeverisë së pakicës. Prandaj zgjidhja e tyre është tatimi socialist, inflacioni socialist dhe një ekonomi ku taksohet 95% e shqiptarëve që të paguhen 5% e oligarkisë!”, vëren Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë