Astrit Patozi është futur në garën për lokalet në koalicion me Dashamir Shehin ku synimin kryesor e kanë për listat e këshillave bashkiakë. Ata nuk garojnë me kandidatët për kryebashkiakë duke ia lënë në dorë zgjedhësve të votojnë sipas preferencave kandidatët që do të kërkonin gjithnjë nga kampi i opozitës.
“Ne jemi vetë garues dhe nuk mund të na kërkohet kush është më i miri, e zgjedhin vetë votuesit. Në këtë rast le ta lemë në dëshirën e zgjedhësve, mjafton që vota të jetë opozitare. Energjitë tona do të jenë në këshillat bashkiakë pasi pritet të marrin një rol përcaktues, në ndryshim nga vitet e kaluara. Kjo është detyra jonë në kryeqytet dhe qytetet e tjera ku janë dy kandidatura”, tha Patozi në emisionin “Debat” në A2CNN.
Për garën në kryeqytet ku demokratët kanë më shumë se dy kandidatë, me sigla të ndryshme, Patozi tha se Roland Bejko dhe Belind Këlliçi ende nuk kanë shpalosur asnjë platformë.
“Roland Bejko apo Këlliçi. Kam dëshirë të shohim si do shpalosen. Përveç premtimit për transportin publik falas nuk kam parë gjë tjetër. Është demonizuar dhe mendoj se nuk e ka shpjeguar mirë. Për fatin tonë të keq kandidatët e opozitës nuk shfaqen. Në vend të tyre kemi Sali Berishën dhe Ilir Metën për ta nuk ka kërshëri për t’i parë. E njëjta gjë dhe nga Partia Socialiste. Kandidatët e rinj duhet t’i shihnim. Këta që rikonfirmohen kush janë? Nuk e di çfarë kanë bërë”, tha Patozi.
Ai komentoi edhe premtimet e kryeministrit Rama për rritje page që, sipas tij, tregojnë se kryeministri është i trembur.
“Ndërhyrja me premtime të bujshme paraelektorale e dëmton klimën zgjedhore. Fakti që Rama e bën këtë tregon se mazhoranca nuk ndjehet kaq e relaksuar sa e tregon veten. Në disa bashki të vendit nuk është kaq e sigurt për fitore”, tha Patozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje