Nga Gazeta Si- Kryesocialisti Edi Rama hapi pasditen e së mërkurës fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij, Rama foli për projektet e qytetit të Durrësit, duke e lidhur me dy portet. “Këtu në Durrës janë dy porte, dy porte kyçe për turizmin dhe për tregtinë. Porti i ri turistik këtu pranë dhe porti i ri tregtar në Porto Romano. Për të dyja këto porte ne jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do të fillojnë së shpejti intensivisht punimet, s’ka më pengesa. Me portin tregtar jemi në fazën e garës ndërkombëtare. Është një projekt jashtëzakonisht ambicioz, për ta bërë Durrësin një portë hyrëse për tregtinë e të gjithë rajonit tonë. Siç e dini, në portin e Porto Romanos kemi edhe një përmase tjetër, një përmase ushtarake për të krijuar një bazë operacionale navale të NATO-s në njërin krah të portit. Jemi duke punuar dhe për këtë”, tha Rama. Ndërsa bëri të qartë projekti tjetër është edhe hekurudha e re Tiranë-Durrës, me projektin që do të lidhet dhe me Kosovën.

Paralelisht unë kur po vija po shikoja dhe atë bazën e hekurudhës, me linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës dhe me trenat e rinj që do të vijnë, çka tanimë është në proces pune. Një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet Durrësit. “Ashtu sikundër jemi duke ecur me përgatitjet e projektit së bashku me qeverinë e Kosovës për hekurudhën që shkon nga Durrësi drejt Kosovës, dhe që pastaj lidh Durrësin dhe Shqipërinë me hekurudhë me të gjithë zonën tonë si rajon dhe mundëson një tjetër hyrje në gjithë rajonin, të mallrave këtë herë nga Durrësi, por nuk janë vetëm këto”, tha Rama duke shtuar dhe investimet që po bëhet shëtitoren e e plazhit. “Do të kemi një zgjerim të konsiderueshëm të rërës në plazh dhe faktikisht do të kthehet gjithë ajo hapësirë fantastike që ka pas qenë dikur kur akoma plazhi nuk ishte si të thuash ngushtuar nga ndërtimet e reja”, theksoi Rama.
Ndërsa pjesën tjetër të fjalimit ia kushtoi kandidatit të opozitës, të cilin e cilësoi si një kukull në duart e Sali Berishës dhe të Ilir Metës.
“Parafytyroni se çfarë kurajo duhet dhe çfarë pafytyrësie për hir të së vërtetës duhet për të ardhur këtu dhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Durrësit për ta kthyer Durrësin mbrapa, aq mbrapa sa të kthehet në një qytet ku vendosin dy hije të së kaluarës nëpërmjet një kukulle që kanë sjellë këtu. S’kam asnjë gjë me kukullën, por në këtë rast, Durrësit nuk i duhet një kukull për të lozur me fatin dhe me të ardhmen e vetë, por i duhet të vazhdojë këtë rrugë vetëm përpara dhe vetëm përpara do të vazhdojmë së bashku, duke ndihmuar kështu edhe atë pjesë të politikës, atë pjesë të përballjes të skenës politike që të lehtësohet nga barra e të shkuarës, të pastrohet, të reformohet, të vijë në vehte dhe pastaj të bëhet gati për të garuar me ne”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Por ai shtoi se PS është në garë me kohën dhe jo me kundërshtarët politik. “Ne jemi në garë për të ardhmen. Ne jemi në garë për të zgjidhur sa më shumë probleme, për të qarë sa më shumë halle dhe për të bërë sa më shumë punë. Ne nuk jemi në garë me ata, të cilët për hallet e tyre personale, duan të marrin peng sa më shumë bashki, të marrin peng sa më shumë Shqipëri, të marrin peng sa më shumë që të jetë e mundur nga jeta jonë e përbashkët publike për të krijuar një imunitet për vete, për problemet që kanë me drejtësinë, për problemet që kanë me të shkuarën. Kjo nuk është e mundur dhe është po ashtu e pamundur që Durrësi ta çojë nëpër mend se mund të kthejë drejtimin dhe mund t’i lerë rrugës të gjithë këto gjëra të mëdha që janë nisur tanimë, për t’u futur në një cep të errët të historisë së këtij vendi”, theksoi kryesocialisti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje