Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar fushatën e tij elektorale në qytetin e Lezhës. Një qytet që tradicionalisht ka qenë i djathtë, por që për shkak të bojkotit të zgjedhjeve të opozitës katër vite më parë, u drejtua nga Pjerin Ndreu.
Rama ndryshe nga Berisha, ka deklaruar se këto zgjedhje nuk janë politike, dhe se nuk duhen parë si të tilla. Ndërsa e cilësoi Berisha si një person që vulën në ballë e ka si non grata dhe që iu premton shqiptarëve çudira.
“I pari i tyre që vjen vërdallë me një vulë në lule të ballit si person “Non gratta’’ dhe ju premton shqiptarëve çudira që nuk i bëri kur s’kishte as damkën. Bashkë me atë tjetrin, dy hije të së shkuarës, dy hije që janë turp për Shqipërinë, që i ka akoma nëpër këmbë edhe qe duan të kapin ça të kapin, bashki këtu e bashki atje, një copë Shqipërie këtu, një copë Shqipërie atje, për komplet hallin e tyre që t’i tregojnë botës që duhet të kaloni nga ne këtu në Shqipëri se jemi ne këtu dhe sado të na damkosni ju, ne na duan këtu”, tha Rama.
Sipas tij, këtë nuk mund ta bëjnë me pjesën dërrmuese të bashkive, por janë disa bashki ku njerëzit duhet të ftillohen.
“Këto janë zgjedhje për të treguar shumë qartë nëse do të shkojmë përpara apo do të kthehemi mbrapa. Mendoj që Lezha nuk do e bëjë atë gabim, sepse do të jetë një gabim shumë i madh t’i mbyllësh vetes rrugën dhe të kthehesh në mish për topat e luftës me mullinjtë e erës, të dy të marrëve fund apo të mbyturve që të mbysin”, tha Rama.
Duke vlerësuar punën që ka bërë këto katër vite Pjerin Ndreu, Rama tha se kandidatin e koaliconit “Bashkë Fitojmë” nuk e njeh fare.
“Unë nuk e njoh fare dhe nuk dua ta njoh fare kush është ai, por një njeri që shkon edhe i jep fytyrën, i jep zërin, i jep emrin, i jep karrierën dy hijeve, me siguri ka një problem me sistemin e vendimmarrjes në kokën e vet. I ka humbur PIN-i dhe punon vetëm me atë “wallpaper”-in aty. I ka ngel “Wallpaper”-i që nga koha e kaluar dhe nuk futet dot dhe vjen e thotë këtu e ku di unë ça thotë, se s‘ka rëndësi ça thotë. E rëndësishme është që këto janë zgjedhje shumë të qarta fare, të shkojmë përpara apo të kthehemi prapa. Më qartë se këtë herë nuk ka qëne ndonjëherë kjo zgjedhje. Me PIN apo pa PIN? Këtu është pyetja”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje