Politike

Berisha: Me pëlqeu intervista e Escobar, unë nuk kërkoj të më heqin ‘non gratën’, por ndjesën prej tyre    

Sali Berisha i ftoi shqiptarët t’i bashkohen hapjes së fushatës ditën e shtunë në “Air Albania”. Berisha tha se fitorja e opozitës do të jetë e madhe përpos atyre që thonë kompanitë e sondazheve që, sipas tij, janë paguar nga Edi Rama.  

“Ka një poll që nuk manipulohet dot, aty kandidatët tanë kanë epërsi të mahnitshme

E dyta, tani përveç polleve, të cilat imagjinoni ju të mos citoj unë pronarët e medieve, i merrni vetë me mend sa të çmendur janë pas parave.

Kjo është njëra anë. Ka një tjetër poll që askush nuk e manipulon dot. Ky është polli që u bëhet rrjeteve sociale.

Facebook, Instagram, Google dhe rrjeteve të tjera. ato po gumëzhijnë për Belind Këlliçin, Bardh Spahinë, Igli Carën, Luçiano Boçin, Ledina Aliollin e me radhë.

Ka një epërsi të mahnitshme në të gjitha rrjetet pa censurë, të cilët janë ato që kanë paralajmëruar në mënyrë të pagabueshme të kandidatëve kudo, nga SHBA në Kosovë…”, tha Berisha. Ai ftoi të gjithë ata që votojnë për herë të parë që të votojnë në zgjedhjet e 14 majit  si dhe përcolli një koment edhe për intevistën e Gabriel Escobar në Tiranë.

“Dje deklarova se më pëlqeu vizita e zotit Eskobar. Sot ju deklaroj se më pëlqeu intervista e zotit Eskobar.

Më pëlqeu sepse ajo më faktoi se nuk isha i gabuar kur deklarova se më pëlqeu vizita. Dhe kur ju thashë se kjo vizitë shtroi një detyrë para meje, ekstradimin e Ramës në SHBA.

Unë atë deduksion e bëra nga takimi i paprecedent në 32 vite të karrierës sime politike, takim në të cilin nuk u fol asnjë fjalë e vetme. Ndonëse vizita u deklarua se ishte për zgjedhjet lokale, aty asnjë fjalë për asgjë.

Cila ishte kryefjala e intervistës së tij? Ishte një: e pyetur nga gazetarja për problemin e Ramës me McGonigal, ai u përgjigj se nuk komenton për një çështje penale e hapur.

E di çfarë do të thotë çështje penale e hapur? Do të thotë derë e burgut e hapur. Një derë qelie e hapur për Edi Ramën.

Kjo ishte kryefjala, kjo ishte e vërteta. Ndaj dhe Edi Rama nxinte bashkë me ministreshat e tij me lopatë në dorë pas takimit..”, tha Berisha. Më tej ia komentoi një tjetër pjesë të intervistës së Escobar sipas të cilit edhe nëse Berisha fiton zgjedhjet kjo nuk do të ndryshojë në qëndrimin e SHBA

“E dyta, ai ishte një lajm shumë interesant. Edhe në rast se fiton, tha, pra parashikon fitoren time. Unë e vlerësoj këtë. Unë u thashë se në kryeqytetet e Europës dhe botës po binden për rikthimin e fuqishëm të Sali Berishës dhe fitoren e PD-së.

Po do thuash ti që ai thotë se nuk ndryshon vendimi. Këtu kam një përgjigje shumë të thjeshtë. Gazetarja, Grida, por edhe ju, mund të bëni një pyetje: a ka kërkuar Sali Berisha një kërkim të ndryshimit. Jo, nuk ka kërkuar.

Se si mund të ndryshojë vendimi, pa kërkuar i ndryshuari, këtë nuk e imagjinoj. Unë kam paditur Sekretarin e Shtetit në gjykatën e Parisit për shpifje, çka nënkupton çdo mundësi që unë të kërkoj ndryshimin e vendimit. Është vetëm kështu.

Unë nuk kam kërkuar ndryshimin e vendimit. Kam zgjedhur këtë rrugë. Unë nuk kam bërë dhe nuk do bëj asnjë lobim. Kam zgjedhur gjykatën.

Unë e kuptoj se kjo ka ngjallur zemërim, por unë jam qytetar i lirë. Se ajo zyrë ku është sot zoti Blinken, është një nga zyrat ku kam hyrë më shpesh dhe kam kërkuar ndihmë dhe kam gjetur mbështetje.

Por kur tjetri të cenon në dinjitet, ka dy rrugë. Ose kërkon falje dhe ju e shihni se nuk kanë sjellë asnjë provë. Jo se nuk kanë bërë kontrolle, kanë bërë kontrolle të jashtëzakonshme, por nuk kanë gjetur. Sepse fëmijët e mi nuk kanë marrë pjesë në asnjë tender apo proces publik. Tjetër gjë çfarë kanë manipuluar mediat e Sorosit.

Unë e kam bërë për të mbrojtur dinjitetin tim. E kuptoj që kjo ka qenë lënduese, nuk është antiamerikane, ata që e marrin antiamerikane, gabojnë…”, tha Berisha


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë