Politike

Taktika elektorale për të tërhequr të djathtët/ Ilir Meta ’zhduket’ nga fleta e votimit, koalicioni ‘BF’ pa emër (fotot)

Në nisjen e fushatës zyrtare për zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj kur prezantoi Roland Bejkon dhe programin e tij për Tiranën, disa herë nënvizoi faktin se të djathtët duhet të votojnë vetëm për PD-në dhe jo majtas, duke nënkuptuar këtu Ilir Metën.

Edhe Roland Bejko i mëshoi këtij fakti duke e cilësuar Berishën si dikur të djathtë por që aktualisht ka kaluar majtas duke garuar me emrin e Ilir Metës.

Sali Berisha nuk do të ketë emër në fletën e votimit dhe ky është handikapi i tij më i madh sa kohë pretendon se ka shumicën e PD-së.

Kryesuesi i koalicionit të opozitës për zgjedhjet e 14 majit është Ilir Meta, me emrin e të cilit Belind Këlliçi u regjistrua për garën e Tiranës.

Foto e regjistrimit te Belind Kellicit per bashkine e Tiranes

Për Ilir Metën kanë bërë thirrje të mos votojnë edhe kandidatët e Alibeajt që dhanë dorëheqjen nga gara.

Ata janë shprehur se të djathtët nuk mund të votojë një të majtë duke orientuar votën vetëm tek PD-ja për këshillat bashkiakë. Dhe jo vetëm. Sa kohë kjo situatë ka sjellë një reflektim nga ana e Berishës kur për taktikë elektorale, Ilir Meta nuk figuron në fletën e votimit.

Berisha dhe Meta janë bashkë, por koalicioni i tyre drejtohet pa emër në fletën e votimit. Ashtu si edhe Koalicioni i Aleancës Liberale të Djathtë e regjistruar në zgjedhje me firmën e Luçiano Boçit dhe Edmond Spahos që drejtohet nga Arjan Starova.

Të dy koalicionet që de facto drejtohen nga Berisha dhe Meta nuk kanë emra në fletën paraprake të votimit të publikuar nga KQZ-ja.

Kjo është hera e parë që ndodh për koalicionet ne zgjedhje. Mjafton t’i referohemi zgjedhjeve të fundit të 2021-shit kur në fletën e votimit koalicioni i PD me Aleancën për Ndryshim kishte të shkruar kryetarin Lulzim Basha.

fleta e votimit e zgjedhjeve te 2021

A do të ndikojë mos përfshirja e emrit të Ilir Metës në fletën e votimit tek të djathtët, në një kohë kur de jure koalicioni drejtohet prej tij? Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që kuptohet qartazi është se elektorati i djathte (ai që mbështet Sali Berishën) nuk e ka të lehtë të kapërdijë piruetat politike të Ilir Metës nder vite, e aq më shumë kur në zgjedhjet e 2013-s ishte partia e tij që e çoi PD-në në opozitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë