Ka ndodhur

Plumba në Durrës pas sherrit në TikTok, plagosen dy të rinj. Shpallet në kërkim autori

Gazeta Si – Dy të rinj u plagosën me armë zjarri pas mesnate në Durrës, ku dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në rrjetin social TikTok.

Policia ka njoftuar se të plagosur kanë mbetur Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, të dy nga 21 vjeç. Dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është Klajdi Mansaku, 25 vjeç.  

Sipas policisë, Mansaku, rreth orës 22:30 të së shtunës ka debatuar në telefon me Mario Vrionin, kushëri i të plagosurit Jurgen Vrioni, duke i lënë takim për t’u sqaruar në afërsi të banesës së tij për një konflikt të hapur.

Mario Vrioni ka shkuar në vendin ku ishte lënë takimi dhe ka marrë me vete kushëririn e tij Jurgen Vrioni dhe shokun, Arben Haxhiu.

Autori i dyshuar i ngjarjes, Mario Mansaku

Por kur Mansaku ka parë këta persona, duke u afruar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Mario Vrionit, i cili është me precedentë penal për narkotikë dhe drejtim automjeti pa leje drejtimi.

Si pasojë e të shtënave, dyshohet nga një plumb rikoshet, u lënduan Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu. I pari ka dalë nga spitali, ndërsa Haxhiu aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Klajd Mansaku i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri mbrëmjen e kaluar në Durrës të dy të rinjve është personazh i njohur në rrjetin social TikTok.

Policia thotë se ka ngritur pika kontrolli për të zbuluar ku gjendet 25-vjeçari. Ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë