Gazeta Si – Kreu i mercenarëve rusë të grupit famëkeq “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, i ka propozuar presidentit rus Vladimir Putin që të ndërpresë luftën në Ukrainë dhe të fokusohet në konsolidimin e pranisë ruse në zonat e pushtuara.
Në mesazhin e tij, i shpërndarë nga zyra e tij e shtypit në Telegram dhe i rilançuar nga faqja “Ukrainska Pravda”, “kuzhinieri i Putinit” (siç thërritet ndryshe), shpjegon se “kundërofensiva e radhës ukrainase ka më shumë gjasa të ketë sukses, sesa të dështojë”.
Rrjedhimisht, shkruan Prigozhin, “për autoritetet (e Federatës Ruse) dhe për të gjithë shoqërinë, është e nevojshme t’i jepet një formë fundi kurajoze operacionit ushtarak special”.
“Opsioni ideal, – vazhdon kreu i ‘Wagner’, – është të shpallë fundin e operacionit special ushtarak dhe të informojë të gjithë se Rusia i ka arritur objektivat e saj”.
Në apelin e tij, Prigozhin flet gjithashtu për një “shtet të thellë” egoist rus (të cilin ai e përkufizon si “një komunitet elitash miqësore ndaj shtetit që veprojnë në mënyrë të pavarur nga lidershipi politik dhe kanë lidhje të ngushta dhe agjendën e tyre”), e cila aktualisht është në krizë për shkak të dështimit të Ushtrisë së Federatës për të siguruar një fitore të shpejtë.
Prigozhin akuzoi anëtarët e këtij shteti të thellë të ngulitur në burokracinë ruse për sabotim të qëllimshëm të suksesit të Rusisë në luftë, ndërsa ata kërkojnë të rifillojnë jetën e tyre të privilegjuar dhe të rehatshme.
Ai më pas tha se këta “armiq të brendshëm” të shtetit të thellë rus, do ta shtyjnë Kremlinin të “bëjë lëshime serioze”, të cilat përbëjnë “tradhti të interesave ruse”, duke përfshirë mundësinë e kthimit të territorit të okupuar ukrainas në Ukrainë.
Sipas institutit amerikan të studimit të Luftës, “Isw”, themeluesi i njësisë private po krijon kushtet për të shfrytëzuar një dështim të mundshëm ushtarak rus nëse kundërofensiva e pritshme e Ukrainës është e suksesshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje