Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar modelin e fletës së votimit ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk do të ketë të shënuar karshi, emrin e kryetarit të PL-së, Ilir Meta, sic është regjistruar në dokumentet e depozituara pranë këtij institucioni. Vendimi i kryekomisionerit Ilirjan Celibashi erdhi pas kontestimit të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ. Dhe Komisioneri sigurish që ka praktika të tjera”, deklaroi Indrit Sefa. Përfaqësuesi i PD tha se ky është precedenti i parë.
Eridian Salianji, përfaqësuesi i PS në KQZ, tha se mos përfshirja e emrit nës fletën e votimit krijon konfuzion.

“Ligji e bën të qartë dhe thotë që fleta e votimit duhet të jetë e qartë, të mos ketë asnjë paqartë. Nuk thuhet arsyeja se pse nuk vendoset emri. PD thotë që krijohet konfuzion ndërkohë që nga subjekti i ‘Bashkë fitojmë’ nuk e thonë arsyen se pse duan që të mos vendoset. Në dokumente e thoni kush është kryetari ndërsa në fletën e votimit nuk e doni. Ju lutem ftojeni subjektin zgjedhor që të paraqesë se cilin emër duan si drejtues të koalicionit, edhe pse për ne është shumë e qartë”, tha Salianji.
Ndërkohë vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk e ka lidhur debatin me ligjin por me vullnetin e vetë koalicionit nëse e duan apo jo emrin në fletën e votimit.
“Ajo çka e bën legjitime kërkesën e çdo subjekti zgjedhor në lidhje me fletën e votimit është qartësia e të dhënave të tij ashtu siç duhet të jenë dhe të qarta për votuesit.
Dhe e dyta nëse të dhënat e një subjekti tjetër janë të tilla që konfondojnë votuesit në lidhje me subjektin.
Nuk ka asnjë urdhërim të vendosjes së emrit të kryetarit të koalicionit. Në të kaluarën ka qenë marrëveshje dhe zgjedhje e vetë atyre. Marrëveshja në koalicion është koncept i ri i vendosur nga ndryshimet në Kod Zgjedhor. Më parë ka qenë zgjedhje e vendosur në vullnetin e partive të koalicionit. Pra, ka qenë kërkesë e qartë e subjektit zgjedhor të koalicionit për të vendosur një emër të njërit prej kryetarit të partive të koalicionit. Për të kuptuar që nuk ka një domosdoshmëri ka logjikë dhe ka sens, sepse në rastin e koalicionit ka minimalisht 2 parti dhe ngelet në vlerësimin e tyre legjitimiteti i interesit për përmbajtjen e fletës së votimit sa i përket subjektit të tyre. Është tërësisht interesi i ligjshëm i atij që lidhet me emrin apo të dhënat e tjera të subjektit”, tha Celibashi duke ia lënë në dorë përfaqësuesit të Partisë së Lirisë ta vendosë nëse e do emrin e kryetarit në fletë votimi apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje