Politike

Alibeaj kërkesë KQZ dhe AMA-s: Dënoni mediat që citojnë Berishën si kryetar të PD  

Drejtoresha e zyrës së komunikimit të Roland Bejkos, Mirela Karabina, ka njoftuar se PD-ja depozitoi në KQZ dhe AMA një kërkesë për ndalimin e përdorimit të emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga Sali Berisha me argumentin se  nuk ka lidhje me këtë forcë politike.

“Ne kërkojmë nga këto institucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje cdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të  formacioneve të ndryshme elektorale…

Neni 85 i Kodit Zgjedhor në pikën 5 të tij njeh dhe përcakton të drejtën e KQZ që të kërkojë korrigjimin e sjelljes nga ana e operatorëve radiotelevizive, kur kjo e fundit konstatohet se shkel parimet dhe frymën e Kodit Zgjedhor përsa i përket pasqyrimit të fushatës zgjedhore.

Dispozitat e sipërcituara imponojnë detyrimin për mediat audiovizive që informacioni i përcjellë të jetë objektiv, i vërtetë dhe i paanshëm. Në të kundërt, referuar nenit 19, pika 3 të ligjit nr. 97/2013, AMA ka detyrimin të konstatojë shkeljen e kryer dhe të vendosë sanksionet ligjore. Në rastin konkret, është e qartë se paraqitja e z. Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, apo i fakteve të tjera referuar këtij subjekti zgjedhor lidhur me kandidatët e mbështetur, përkatësinë e kandidatëve në këtë forcë politike apo koalicionet në të cilat ajo është pjesëmarrëse është një informacion i pavërtetë dhe që paraqet haptazi njëanshmëri politike në debatin e brendshëm të kësaj force politike.

Në këto kushte, në cilësinë e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike kërkoj nga ana juaj fillimin e menjëhershëm të një hetimi administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve”, thuhet në kërkesën e Enkelejd Alibeajt të lexuar nga Mirela Karabina.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë