Bota

Përleshje gjatë shpërndarjes së ndihmave, të paktën 85 të vdekur në Jemen

Gazeta Si – Në Jemen, të paktën 85 njerëz humbën jetën dhe qindra u plagosën në Sana’a gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore me rastin e Ramazanit.

Sipas informacioneve të dhëna nga autoritetet lokale, qindra njerëz ishin mbledhur në një shkollë në kryeqytet për të marrë ndihma prej 5000 rialësh (rreth tetë dollarë).

Gjatë përleshjes, të paktën 85 njerëz u vranë dhe 322 u plagosën, tha një zyrtar i sigurisë, duke shtuar se viktimat përfshinin gjithashtu gra dhe fëmijë.

Ministria e Brendshme e kontrolluar nga rebelët Houthi, tha se të plagosurit po transportoheshin në disa spitale dhe përgjegjësit për ngjarjen u arrestuan.

Një video e incidentit të transmetuar nga kanali “Al Masirah TV” tregon një lëmsh ​​trupash, me disa njerëz që ngrihen mbi njëri-tjetrin në përpjekje për të kaluar.

Rebelët Huthi të lidhur me Iranin morën kontrollin e kryeqytetit të Jemenit nëntë vjet më parë, duke shkaktuar një ndërhyrje të një koalicioni ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite për të mbështetur qeverinë.

Që atëherë, lufta në Jemen ka marrë qindra mijëra jetë dhe ka nisur një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, në këtë vend që konsiderohet më i varfëri i Gadishullit Arabik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë