Politike

Vendoset printimi i fletëve të votimit, edhe aty ku votohet elektronikisht, 6 qendra votimi në Tiranë në ambiente të Policisë bashkiake  

KQZ ka vendosur që të printohet e gjithë sasia e fletëve të votimit edhe për 3 bashkitë ku do të aplikohet votimi elektronik, në Bashkinë Elbasan, Vorë dhe Kamëz.

Ndonëse KQZ kishte deklaruar se do të printohej vetëm sasia e kufizuar, partitë kërkuan garanci për printimin e të gjithë sasisë së fletëve të votimit. Ndërkohe ka pasur disa debate kryesisht nga përfaqësues të koalicionit Bashkë Fitojnë për ndryshimin e vendndodhjes së disa qëndrave të votimit, kryesisht në Tiranë.

Përfaqësuesi i koalicionit Berisha-Meta, Altin Kaziaj ka kërkuar që të merren masa për ndryshimin e vendndodhjes së 6 qendrave të votimit në Tiranë dhe 1 në Bulqizë. Në mbledhjen e KQZ, sekretari i përgjithshëm tha se ishin vendosur në ambientet e policisë bashkiake ndaj e cilësojnë të papranueshme dhe kërkojnë të vihen në një tjetër ambient.

“Habitem si sekretari i përgjithshëm cilëson faktin që autorizojmë ndryshimin e qendrës së votimit ndërsa ligjvënësi thotë vendndodhja s’mund të ndryshojë në 40 ditët e fundit përveç rasteve kur për shkak të forcave madhore mund të ndryshojë. A mund të dimë cila ka qenë forca madhore për ndryshimin e qendrave të votimit nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe Bulqizë”, tha Kaziaj.

“Administratori i ka vendosur qendrat e votimit në ambientet e policisë bashkiake. Kjo është e paparanueshme dhe administrata e KQZ ka kërkuar që të vendosen në një ambient tjetër, në shkolla. Është e pakujdesi apo gabim, është e papranueshme. KZAZ dhe administrata e KQZ i ka konstatuar”, tha sekretari i përgjithshëm i KQZ.

“Një shpjegim alogjik që një përfaqësues që paguhet nga taksat e qytetarëve e vë para një institucioni si policia bashkiake. Si ka mundësi që 6 qendrat e votimit janë vënë në polici bashkiake. Po bëhet lojë e pisët ndaj duhet të merrni masa ndaj personave të papërgjegjshëm që vënë një zonë dhe më vonë, me qëllimshmëri për shkak të papërgjegjshmërisë të personave publik që kanë për detyrë për të vënë një garanci dhe në këtë rast po sjell dëm. Është skandaloze që nuk dihet ku të votohet. Të merren masa. Nëse forca madhore është papërgjegjshmëria e zyrtarit publik, në këtë rast hyn edhe qëllimshmëria”, tha Kaziaj.

“Do bëjmë vlerësim mbi atë situatë se në fund të fundit nëse s’do ishte verifikuar nga KZAZ do i kishim qendrat e votimit në ambientet e policisë bashkiake. Nëse është rasti për sanksione, do i vendosim”, tha Celibashi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë