Politike

‘KVO makthi i jetës sime’ / Rama ia heq ministrave tenderat: Kalojnë në një Agjenci e Vetme

Qeveria do të ndryshojë ligjin e prokurimeve publike. Këtë fakt e bëri publik vetë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës që mbajti në Forumin Ekonomik që po mbahet në Tiranë.

Shefi i qeverisë u shpreh se do bëhet spostimi i të gjithë sistemit të prokurimit në një agjenci të vetme dhe se do të kontraktojnë agjenci të huaja, të cilat kanë kualifikimet dhe specializimet në këtë fushë.

“Kjo është e mundshme falë teknologjisë dhe ndërkohë do të bëjmë spostimin komplet të gjithë trupës, të gjithë sistemit të prokurimit në një dorë, një agjenci kombëtare e prokurimeve me disa ndryshime shumë të vogla të natyrës teknike dhe do të kontraktojmë partnerë ndërkombëtarë, siç thashë UNOPS-in apo agjenci të ndryshëm të tjera që e bëjnë këtë punë dhe që nga ky moment, asnjë ministri dhe asnjë KVO shqiptare, kjo fjala KVO është kthyer në makthin e jetës sime, quhet Komision Vlerësimi i Ofertave, dhe janë ato grupet pastaj që i shikoni që arrestohen si grup dhe dalin në televizor, KVO filan, KVO filan, nuk do ketë më punë me këtë punë, sepse bëjmë mijëra e mijëra prokurime dhe kemi një numër KVO që është marramendës”,  u shpreh Rama.

Ai shtoi se “besoj që ky do jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që me këtë lehtësim biznesi do lehtësohet, njerëzit e KVO-ve do lehtësohen, do merren me punët e tyre, qeveria do lehtësohet dhe me siguri Shqipëria do lehtësohet dhe raportet përkatëse do të lehtësohen dhe ne do të ngjitemi shumë më lart në vlerësimin për luftën kundër korrupsionit dhe suksesin e saj”.

Ai u ndal dhe te çështja e pagave dhe mungesa e krahut të punës. Rama theksoi se ka ikur koha e shfrytëzimit të krahut të punës dhe se kompanitë që kapen në shkelje, sidomos ato në sektorin e ndërtimit, nuk do mund të marrin leje ndërtimi. Mes tjerash, ai tha se qeveria do vijojë të luftojë informalitetin në ekonomitë, pasi për kryeministrin Rama kjo skemë ndikon edhe tek mosrritja e pensioneve.

“Koha e shfrytëzimit të krahut të punës ka mbaruar. Asnjë punonjës shqiptar nuk mund të shfrytëzohet më. Jetojmë në një sistem që ne nuk mund të vëmë pagat për sektorin privat, pro ne kemi përgjegjësi që në të bëhemi front ipërbashkët kundër shfrytëzimit të punonjësve. Investitorët e krijojnë vetë infomalitetin, nuk e krijon qeveria. Luftën ndaj informalitetit do ta vijojmë siç e kemi bërë”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë