Gazeta Si – Përplasje në OKB, ku ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov kryesoi një takim të Këshillit të Sigurimit kushtuar “multilateralizmit efektiv përmes mbrojtjes së parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, duke fshikulluar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Por fronti i bashkuar i perëndimorëve u gjend përballë tij.
Dhe gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, i ulur pranë Lavrov, nuk kurseu asnjë kritikë, duke përsëritur se “pushtimi rus i Ukrainës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, po shkakton vuajtje dhe shkatërrime të mëdha për vendin dhe popullin e tij”.
Lavrov – Kreu i diplomacisë së Moskës, në Pallatin e Qelqtë në kuadër të muajit të presidencës ruse të Këshillit, drejtoi gishtin nga Uashingtoni, duke e akuzuar atë se dëshiron të izolojë Rusinë dhe gjymtojë Kinën dhe e përcaktoi NATO-n si një aleancë sulmuese dhe jo mbrojtëse.
“Edhe një herë, si gjatë Luftës së Ftohtë, ne kemi arritur një vijë të rrezikshme, dhe ndoshta edhe më të rrezikshme, – tha ministri i Putinit. – SHBA dhe aleatët e saj po braktisin diplomacinë dhe po bëjnë presion për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në betejë”.
“Le ta themi ashtu siç është, askush nuk i jep pakicës perëndimore të drejtën të flasë në emër të gjithë njerëzimit”, shtoi ai.
Por ndërsa Lavrov theksoi se Shtetet e Bashkuara janë “në rrugën e shkatërrimit të globalizimit”, nga ana tjetër ai mbrojti “operacionin special ushtarak” në Ukrainë, i cili shërben për “çrrënjosjen e kërcënimeve të sigurisë” nga Moska.
Reagimet – “Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe ka goditur në zemër të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kjo luftë ilegale bie drejtpërdrejt në kundërshtim me parimin tonë më të shenjtë, që është se një luftë agresioni nuk është kurrë e pranueshme”, u përgjigj ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Linda Thomas Greenfield.
Ajo denoncoi se Moska “dëshiron të ricaktojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, gjë që bie ndesh me gjithçka që përfaqëson ky institucion”.
Ajo që po ndodh sipas saj, “nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën apo Evropën, ajo na shqetëson të gjithëve, sepse sot është Ukraina, nesër mund të jetë një vend tjetër”.
Thomas-Greenfield më pas bëri thirrje përsëri për lirimin e dy shtetasve amerikanë të arrestuar në Rusi – ish-marinsin Paul Ëhelan dhe reporterin e “Ëall Street Journal”, Evan Gershkovich – dhe që “të ndërpritet një herë e mirë kjo praktikë barbare” e “përdorimit të njerëzve si pengje”.
Më pas, ajo ftoi në dhomën e këshillit Elizabeth Ëhelan, motrën e ish-marinsit të arrestuar që nga viti 2018 dhe i dënuar me 16 vjet burg, duke i kërkuar Lavrovit që “të shikojë në sytë e saj dhe ta shohë vuajtjen e saj, të shohë se çfarë do të thotë të dish se vëllai yt është i mbyllur në një burg rus, thjesht sepse dëshironi ta përdorni për qëllimet tuaja”.
Fronti perëndimor u paraqit në Këshillin e Sigurimit të Bashkuar kundër Moskës, me ambasadorin e BE-së, Olof Skoog, i cili pak para takimit lëshoi një deklaratë të ashpër në emër të vendeve anëtare.
“Me organizimin e këtij takimi, Rusia po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i Kartës së OKB-së dhe i multilateralizmit. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Është cinike, ne të gjithë e dimë se ndërsa Moska shkatërron, ne ndërtojmë. Ndërsa ata shkelin, ne mbrojmë. Karta e OKB-së, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, IGC, ICC, kudo që të shikoni, Rusia është e përbuzur”.
Kina – Edhe Kina ka mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, por në ndihmë të Moskës, ajo u kundërshtua ndaj “sanksioneve të njëanshme, të cilat shkelin të drejtat themelore të grave dhe fëmijëve, përkeqësojnë situatën humanitare dhe shkaktojnë dëme të mëdha në harmoni dhe stabilitetin e rendit ndërkombëtar”.
Në qendër të vëmendjes në OKB është edhe marrëveshja për grurin ukrainas, për të cilën Lavrov diskutoi në takimin dypalësh me Guterres.
Disa javë përpara afatit të planifikuar të 18 majit, Rusia ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen, e cila rrezikon të mos rinovohet nëse nuk plotësohen kërkesat e Moskës në lidhje me eksportet e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje