Singapori ka aprovuar dënimin me varje në litar ndaj një burri për trafikim kanabisi. Por, aktivistët thonë se Tangaraju Suppiah u dënua me prova të pamjaftueshme.
Autoritetet, në anën tjetër, thonë se ndaj tij u ndoq një proces i rregullt ligjor dhe se kanë planifikuar ekzekutimin e tij të mërkurën.
Singapori ka disa nga ligjet më të ashpra në botë kundër drogës, për të cilat thotë se janë të nevojshme për të mbrojtur shoqërinë.
Ditët e fundit anëtarët e familjes dhe aktivistë i dërguan letra presidentit të Singaporit Halimah Yacob në një lutje të minutës së fundit për mëshirë, ndërsa miliarderi britanik Sir Richard Branson ka bërë thirrje për ndalimin e ekzekutimit dhe rishikimin e rastit.
“Unë e di që vëllai im nuk ka bërë asgjë të keqe. Unë i bëj thirrje gjykatës që të shqyrtojë çështjen e tij nga fillimi,” u tha gazetarëve motra e Tangaraju, Leela Suppiah, në një konferencë shtypi.
Tangaraju, 46 vjeç, u dënua për dërgimin e 1 kg (35oz) kanabis nga Malajzia në Singapor në vitin 2013.
Megjithëse ai nuk u kap me drogë, prokurorët thanë se ai ishte përgjegjës për koordinimin dhe gjurmuan dy numra telefoni të përdorur nga një dërgues drejt Tangaraju.
Tangaraju pretendoi se nuk ishte ai personi që komunikonte me të tjerët te lidhur me rastin. Ai tha se kishte humbur një nga telefonat dhe mohoi të kishte në pronësi të dytin.
Ligji i Singaporit urdhëron dënimin me vdekje për trafikun e drogës dhe ka dënime më të buta për korrierët.
Në seancën e fundit të Tangaraju, gjyqtari ra dakord me prokurorinë se Tangaraju ishte përgjegjës për koordinimin e dorëzimit, gjë që e bëri atë të papërshtatshëm për një dënim më të butë.
Por aktivistët kanë ngritur gjithashtu shqetësime se Tangaraju nuk kishte akses adekuat për një përkthyes dhe duhej të argumentonte vetë ankesën e tij të fundit pasi familja e tij nuk ishte në gjendje të siguronte një avokat.
Autoritetet e Singaporit thonë se Tangaraju kërkoi një përkthyes vetëm gjatë gjyqit, dhe jo më herët. Ata shtuan se ai kishte akses një këshilltar ligjor gjatë gjithë procesit.
Sir Richard tha se rasti i Tangaraju ishte “tronditës në nivele të shumëfishta”.
Në një postim të tij, ai tha se Singapori “mund të jetë gati të vrasë një njeri të pafajshëm” për shkak të “rrethanave më shumë se të dyshimta”
“Dënimi me vdekje është një njollë e errët në reputacionin e vendit. Një ekzekutim pas një dënimi kaq të pasigurt vetëm do t’i përkeqësonte gjërat,” tha ai.
Duke hedhur poshtë pretendimet, Ministria e Punëve të Brendshme të Singaporit tha se pretendimet e tij ishin të pavërteta dhe e akuzoi atë për “mosrespektim ndaj gjyqtarëve të Singaporit dhe sistemit të drejtësisë penale”.
Rregullat strikte të Singaporit janë në kontrast me disa nga lëvizjet e fundit të fqinjëve të tij.
Tajlanda ka legalizuar tregtinë e kanabisit ndërsa Malajzia i ka dhënë fund dënimit të detyrueshëm me vdekje për krime të rënda.
Duke folur me gazetarët të dielën, anëtarët e familjes së Tangaraju thanë se ata mundën ta takonin atë përmes një xhami ndarës në burgun Changi pasi u njoftua se ai do të ekzekutohej.
“Ai është përgatitur mendërisht për këtë ditë. Ai e ndjen se ka një padrejtësi të madhe dhe do të ekzekutohet për diçka që nuk e ka bërë”, tha mbesa e tij
Familja e tij tha se do të vazhdojë të bëjë presion për reforma në sistemin ligjor të Singaporit edhe nëse Tangaraju do të ekzekutohet.
“Nëse një padrejtësi e tillë i ndodh vëllait tim, nuk do të doja t’i ndodhte askujt tjetër, kështu që do të vazhdoj të luftoj”, tha motra e tij Leela.
Burimi: bbc.com/ Përshtati në shqip: Gazeta ‘Si’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje