Gazeta Si – Një raport hulumtues i gazetës online, “Vyorstka”, thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën në fillim të marsit të vitit 2021.
Sipas raportit, i cili bazohet në intervista me burime të afërta me udhëheqjen ruse, Putini ka marrë këtë vendim pasi autoritetet ukrainase kanë konfiskuar asetet dhe mediat e kontrolluara nga politikani pro-rus i Ukrainës, Viktor Medvedchuk, në shkurt të vitit 2021.
Përgatitjet për pushtimin, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022, kanë zgjatur një vit. Sipas raportit, Putin i ka bërë ato me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, miliarderin Yury Kovalchuk, mbështetës kryesor i idesë.
Kovalchuk e ka bindur Putinin se është koha e duhur për të nisur pushtimin, pasi Bashkimi Evropian po përballej me probleme të brendshme dhe mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, shkruan “Vyorstka”.
Një burim i ka thënë gazetës se Putin, fillimisht, ka planifikuar ta kërcënojë hapur Ukrainën me agresion, në artikullin e tij të diskutueshëm “Rreth unitetit historik të rusëve dhe ukrainasve”, të botuar në korrik të vitit 2021. Megjithatë, kërcënimi është hequr nga teksti në momentin e fundit.
Një tjetër burim i ka thënë gazetës se zyrtarë të lartë rusë kanë diskutuar në dhjetor të vitit 2021 se si Ukraina do të ndahet midis korporatave të mëdha ruse.
Raporti citon një person, të cilin “Vyorstka” e quan “mik i vjetër i Putinit”, të ketë thënë se ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, e ka mbështetur planin e Putinit, pasi ai ka qenë i sigurt se operacioni ushtarak do të jetë i shpejtë dhe i ngjashëm me aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje