Gjykata Kushtetuese ka shtyrë edhe një herë tjetër seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për VKM për operacionet për ndërtimet pa leje. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një autorizim me firmë të 28 deputetëve për palën që do t’i përfaqësojë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, e konsideroi absurde një vendim të tillë pasi sipas tij është në kundërshtim me praktikën 32-vjeçare.
“E njëjta trupë gjykuese, e bërë nga të 9 gjyqtarë të Gjykatës, ka vendosur një standard të ri gjykimi duke e shtyrë edhe më tej këtë çështje. Deri më sot 28 deputetët e grupit parlamentar kanë ardhur me një autorizim të lëshuar nga kryetari i grupit. Kështu jemi përfaqësuar edhe para një jave, edhe në një tjetër vendim të shpallur para një muaji. Ndërkohë që sot na u bë me dije që përfaqësimi duhet të ishte me një autorizim të firmosur nga 28 deputetët e Kuvendit. Nëse do na e kishin thënë para një jave, do të kishim ardhur me firmat dhe çështja nuk do të ishte zvarritur”, tha Bardhi.
Ai tha se arsyeja e këtij vendimi absurd
“Shantazhi me Twitter i z. Rama ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e këtyre e kanë marrë qartë mesazhin e Kryeministrit lidhur me këtë çështje. Kjo është e rëndë. Nuk ka ndodhur kurrë që një Gjykatë Kushtetuese të marrë mesazhe të tilla mafioze. Kjo është edhe arsyeja pse herë pas herë vendos standarde të tjera. Nëse janë të shantazhuar të na e bëjnë me dijë që të mos harxhojmë ne kohë ndërkohë që vendimin e merr Kryeministri dhe oligarkët. Ka një shantazh të drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe kjo gjë ndodh. Kjo është hera e parë që ndodh. Ka një praktikë 32-vjeçare. Gjithmonë jemi përfaqësuar me firmën e kryetarit të grupit ose në mungesë të tij nga nënkryetari i grupit. Edhe znj. Kokona vjen këtu si përfaqësuese e Këshillit të Ministrave me një firmë të Kryeministrit dhe jo me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ne s’e kemi ngritur si pretendim sepse ka qenë kjo praktika 32-vjeçare”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të këshillit të ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit.
Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje