Politike

Çuçi: Më 14 maj votohet edhe me karta identiteti të skaduara

Nga Gazeta ‘Si’ – Në mbledhjen e sotme të qeverisë(27 prill) është miratuar vendimi për të shtyrë afatin e kartave të identitetit që skadojnë deri më 14 maj.

Lajmin e bëri të ditur, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili tha se kjo është bërë pas konsultimeve me KQZ dhe shqetësimit të partive politike.

“Sot miratuam vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve që skadojnë më 14 maj. Është një shtyrje që vjen si rezultat i konsultimeve me KQZ, që mbart shqetësimet e partive politike. Duke parë numrin e madh  të dokumenteve që skadojnë më  14 maj apo kanë skaduar deri më 14 maj, vendosëm që të shtyjmë afatin. Kështu që të gjithë shtetasit mund të votojnë më 14 maj pavarësisht se dokumenti i tyre ka skaduar”, tha Bledi Çuçi.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se u miratua projekt vendimi për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore.

Ajo u shpreh se ky program do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.

“Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune.

I gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e BE dhe çdo i ri që do të përfundojë një program të formimit profesional, për një hark kohor deri në 6 muaj, do t’i ofrohet një vend pune dhe ky vend pune do të paguhet për 3 muajt e parë me 80% të pagës minimale me një pagë të reduktuar dhe për 3 muajt e dytë, do të zgjasë 6 muaj, do të paguhet me 100% të pagës minimale”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë